Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Intervista e Kryeministrit Rama gjatë vizitës në Beograd

Prizren Post | 13:50 - 11.11.2014

TCH: Zoti Rama, një vizitë interesante në Beograd, për herë të parë keni shënuar histori të paktën për 68 vjet që ka patur mungesë komunikimesh. Si ju duket vizita?

Kryeministri Rama: Është një vizitë e vecantë me tensionin e vet nga do të kthesh sytë dhe të ndjeshëm në komunikimin me palën serbe, por besoj që kjo është e kuptueshme sic është e kuptueshme që nuk mund të vazhdohej më me këtë distancë dhe heshtje. Është koha të biem dakort mbi çka mund të biem dakort dhe jo domosdoshmërisht kemi nevojë të biem sot dakort për të gjitha që të ndërtojmë një bashkëpunim në funksion të njerëzve dhe nevojave tona dhe në funksion të përmirësimit të imazhit të një rajoni që duhet të bëhet sa më parë pjesë e Europës së bashkuar.

TCH: Reagimi i kryeministri Vuçiç ishte se deklarata tuaja për Kosovën ishin një provokim dhe nuk u duk i kënaqur me këtë pjesë. Takimi kokë më kokë zgjati 30 minuta më shumë. Kishte ndonjë problem tjetër përvec asaj që duket, që Vuçiç kishte probleme me opinionin e brendshëm?

Kryeministri Rama: Më vjen keq po të vërtetat tona nuk mund të varen nga pëlqyeshmëria ose jo e palës tjetër, cilado qoftë ajo palë dhe detyrimi ynë është që të vërtetat tona t’i themi me dinjitet, respekt dhe me vetëdijen se të vërtetave nuk i shpëtojmë duke iu fshehur. Ishte disi e habitshme në fakt mënyra se si kryeministri serb reagoi por tanimë jemi në një fazë ku s’kemi pse habitemi me këto reagime. Ajo që ka rëndësi është që gjërat u thanë dhe u thanë ashtu siç duhet, mendoj unë, dhe ndërkohë besoj që do të bëjmë progres sepse baza e këtij bashkëpunimi është vendosur siç duhet duke patur parasysh jo vetëm se çfarë duam dhe për çfarë do të punojmë së bashku, por edhe ku nuk mund të biem dakort së bashku.

TCH: Në Serbi zakonisht nuk flitet dhe në transmetim në televizionin publik serb ishit në përkthim, pastaj kishte shumë probleme rreth axhendës. Thatë në forumin ekonomik se dilema juaj më e madhe ishte përkthimi. Kishit ndonjë dilemë tjetër? Përshtypja e parë kur mbërritët në Beograd?

Kryeministri Rama: Nuk është diçka që më gjen të papërgatitur, kuptohet, por besoj që gjithcka që po bëjmë sot dhe do bëjmë nesër ja vlen për të ardhmen e përbashkët, për të hapur një rrugë të re që do të jetë padyshim e vështirë sepse po të mos ishte do ishte hapur më përpara.

TCH: U pa një tension edhe nga mediat serbe. Shumë gazetarë pyetën për reagimet. Shumica u pajtuan që ishte një provokim dhe transmetuan deklarimet e Vuçiç që nuk do lejonte përbuzjen e Serbisë në Beograd. Mund të thuhet kjo…të themi një lloj droni tjetër?

Kryeministri Rama: Unë nuk e kuptoj çfarë provokimi është ky sepse nuk është diçka që unë e kam parë në ëndërr dhe as diçka që është një aspiratë shqiptare, por një realitet që është aty, është një, i pandryshueshëm dhe i pakthyeshëm. Shtyrja në kohë e ditës për ta parë këtë realitet është një problem i serbëve, nuk është problemi ynë dhe s’kuptoj se çfarë ka këtu për t’u provokuar kur bëhet fjalë për një shtet i njohur nga 108 vende anëtare e OKB-së, por më e rëndësishmja nga të gjitha demokracitë e mëdha. Duhen pak njohje që duhen për të plotësuar gjithë mozaikun e njohjeve brenda Europës që janë kushtëzuar nga problemet e brendshme të atyre katër vendeve dhe unë besoj që do të kapërcehen pasi konteksti europian është i tillë që imponon logjikisht njohjen e plotë të Kosovës. Nuk e kuptoj dot ku është provokimi, por nuk kam ndërmend të lodhem për ta kuptuar.

TCH: A biseduat me Kryeminstrin Vuçiç në takimin kokë më kokë lidhur me Kosovën, apo nuk u përmend fare?

Kryeministri Rama: Takimi kokë më kokë më kokë është takim kokë më kokë dhe mbetet kokë më kokë.

TCH: Keni qenë edhe më parë në Preshevë si kryetar i PS, ekziston në Preshevë një lloj simpatia edhe ndaj jush edhe ndaj angazhimeve që keni marrë më herët. Cili do të jetë mesazhi sepse nga Serbia duket që i druheshin më shumë mesazhit se sa vizitës tuaj?

Kryeministri Rama: Tani, këtu mund t’i druhen edhe hijes së tyre, por është e sigurtë që unë nuk kam ardhur këtu për të krijuar probleme të reja, por për të folur për problemet që kemi dhe për të gjetur rrugën që t’i trajtojmë ato së bashku. S’është problemi im nëse mikpritësit tanë këtu kanë problem këtu atë se çfarë do të them unë nesër. Unë e pres me emocion dhe me një ndjenjë të fortë privilegji që si Kryeministër i Shqipërisë vizitoj vendibanimet e shqiptarëve në një zonë që vuan nga shumë aspekte, gjë që as mikpritësit tanë nuk mund ta fshehin dot, dhe që ka nevojë për shumë më tepër mbështetje që të kenë një jetë sa më të denjë dhe sa më normale. Në fund të fundit mënyra se si trajtojmë pakicat, përcakton atë që ne jemi dhe atë që duam të jemi.

TCH: Sipas një informacioni jozyrtar nga shqiptarët e Preshevës, gjatë vendosjes së flamujve për pritjen tuaj, ato janë konfiskuar nga policia serbe. Si e komentoni këtë pjesë?

Kryeministri Rama: Nuk kam informacion për këtë, por një gjë besoj se mund ta them që të kapesh me flamurin e tjetrit do të thotë që të mos çlirohesh dot nga hija jote.

Gjatë intervistës së Ramës për “Shqip” ajo që ra në sy ishim masat ekstreme të sigurisë.


Etiketa:
Arivisti Company