Kapet anija me 47 tonë cigare kontrabandë


E diel, 18 Maj 2014

Anija me 47 tonë cigare që u bllokua në portin e Durrësit mësohet se jo vetëm që malli i saj është kontrabandë, por madje ende nuk bëhet e ditur se çfarë ka ndodhur në dy ditët e ankorimit të saj në portin e Vlorës.

Anija, që dyshohet se është ngarkuar në Greqi, thuhet se kishte destinacioni Malin e Zi, por ajo është shkëputur nga Porti i Vlorës pa lajmëruar autoritetet përgjegjëse dhe është nisur në drejtim të një destinacioni të dyshimtë. Bllokimi është bërë mbrëmjen e së premtes në Durrës, ndërsa ditën e djeshme në lidhje me këtë bllokim dhe sekuestrim kanë folur publikisht kryeministri i vendit si dhe drejtoresha e Doganave, e cila ka bërë publik faktin tronditës që ky mall kishte për synim pikërisht vendin tonë. Mirëpo, kundër deklaratave të krerëve të doganave ka dalë mbrojtësi ligjor i mallit, i cili saktëson se malli nuk është kontrabandë pasi ka dokumentacionet e duhura për këtë ngarkesë që në treg kap vlerën e 10 milionë dollarëve.

Misteri i anijes ‘Era 1’ Anija “Era 1” me flamur të Tanzanisë dhe ekuipazh ukrainas kishte kërkuar katër ditë më parë leje nga autoritetet për t’u strehuar në portin detar të Vlorës, deri në qetësimin e detit. Por, mesditën e së premtes ajo ishte larguar pa njoftuar, duke thyer rregullat ndërkombëtare detare që i detyrojnë anijet të njoftojnë dhe kërkojnë leje nga autoriteti detar i portit pritës për çdo lëvizje. Largimi i paralajmëruar ka ngritur dyshime mbi ngarkesën në anije dhe ligjshmërinë e saj. Një anije e Rojes tonë Bregdetare e ka shoqëruar anijen, 46 metra e gjatë dhe e gjerë 8 metra, drejt Portit të Durrësit, ku kapitenit dhe anëtarëve të tjerë të ekuipazhit, gjatë natës duke u gdhirë e shtunë u janë marrë deklarimet përkatëse, ndërsa njëkohësisht ka nisur të kryhet edhe kontrolli fizik i ngarkesës, në përfundim të të cilit u konstatua se sasia prej 47 tonë cigaresh po udhëtonte pa dokumentacionin përkatës.

Mirëpo, pavarësisht deklaratave të bëra ditën e djeshme, në lidhje me kontrabandën e mallit, burimet nga Ministria e Financave bënë të ditur se në fakt anija do qëndrojë e bllokuar derisa të sqarohen të gjitha rrethanat dhe dokumentacioni i mallit. Referuar të njëjtave burime bëhet e ditur se ende nuk është marrë një informacion i detajuar në lidhje me kohëqëndrimin e anijes në Vlorë, nëse është bërë shkarkimi i ndonjë sasie nga malli që kishte anija, pasi, zyrtarisht, ka dyshime të forta që i gjithë malli ishte për tregun tonë dhe jo atë të Malit të Zi, siç pretendonte ekuipazhi ukrainas i anijes dhe mbrojtësi ligjor i tyre.

Njëkohësisht një tjetër pikë e errët në rrugëtimin e mjetit lundrues është edhe ikja nga Porti i Vlorës pa marrë lejen përkatëse të lëvizjes në ujërat tona, ndërkohë që tashmë një grup ekspertësh do të zhvendosen në Portin e Vlorës për të dokumentuar të gjitha hollësitë mbi qëndrimin e mjetit. Malli, ditën e djeshme, sipas të dhënave, iu nënshtrua edhe një ekspertize për të vërtetuar nëse është origjinal apo i falsifikuar dhe sipas burimeve tregohet se në fakt, cigaret nuk janë të markës ‘Philip Morris’, ashtu siç pretendohej në dokumentacionin shoqërues të cigareve./shekulli/

Etiketa: ,
Të fundit