Komisioni Evropian publikon Raportin për Kosovën, evidenton ngecje në sundimin e ligjit dhe sfida në zhvillimin ekonomik


E mërkurë, 4 Nëntor 2026
Komisioni Evropian publikon Raportin për Kosovën, evidenton ngecje në sundimin e ligjit dhe sfida në zhvillimin ekonomik

Komisioni Evropian ka publikuar sot Raportin për Kosovën për vitin 2026, në të cilin vlerësohet progresi i vendit në procesin e integrimit evropian, si dhe evidentohen sfidat dhe ngecjet në disa fusha kyçe, përfshirë demokracinë, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Raporti, i cili mbulon periudhën nga 1 shtatori 2025 deri më 1 shtator 2026, thekson se gjatë kësaj kohe Kosova është përballur me paqëndrueshmëri politike dhe bllokada institucionale, të cilat kanë ndikuar në funksionimin e institucioneve dhe në zbatimin e reformave të nevojshme për avancimin drejt Bashkimit Evropian.

Sipas Komisionit Evropian, gjatë periudhës raportuese vendi ka mbajtur dy palë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa dështimi për zgjedhjen e presidentit ka qenë një tjetër tregues i krizës politike. Qeveria ka funksionuar për pjesën më të madhe të kësaj periudhe në detyrë, duke kufizuar mundësitë për zbatimin e plotë të politikave dhe reformave.

Në pjesën që trajton demokracinë, raporti vlerëson se zgjedhjet në Kosovë përgjithësisht kanë qenë paqësore, konkurruese dhe të organizuara mirë. Megjithatë, janë evidentuar përpjekje për politizimin e punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe mangësi në rregullimin e fushatave parazgjedhore, financimin e tyre dhe përdorimin e burimeve publike.

Një tjetër shqetësim i përmendur është rënia e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje. Sipas raportit, dalja në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit 2025 ishte 45 për qind, ndërsa në zgjedhjet e qershorit 2026 ra në 37 për qind. Komisioni Evropian e lidh këtë rënie me lodhjen e votuesve dhe pakënaqësinë e një pjese të qytetarëve për përsëritjen e shpeshtë të proceseve zgjedhore.

Sa i përket sundimit të ligjit, raporti vë në pah nevojën për forcimin e institucioneve të drejtësisë, rritjen e llogaridhënies dhe luftimin më efektiv të korrupsionit. Ndikimi politik dhe ekonomik në institucione, si dhe zbatimi jo i mjaftueshëm i reformave, mbeten çështje që kërkojnë vëmendje dhe veprime konkrete nga autoritetet.

Komisioni Evropian vlerëson se paqëndrueshmëria politike ka ndikuar edhe në mbikëqyrjen parlamentare ndaj ekzekutivit, duke dobësuar mekanizmat e kontrollit dhe balancës ndërmjet institucioneve. Në të njëjtën kohë, raporti thekson rëndësinë e përfshirjes më të madhe të shoqërisë civile dhe komuniteteve jo-shumicë në proceset vendimmarrëse.

Në aspektin ekonomik, Kosova vazhdon të përballet me një bazë të dobët industriale dhe varësi të lartë nga importet. Raporti thekson se remitancat nga diaspora vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm në ekonomi, por kryesisht orientohen drejt konsumit dhe ndërtimit, në vend të investimeve që do të ndihmonin në zhvillimin e sektorëve prodhues dhe rritjen e eksporteve.

Si pasojë, vendi vazhdon të ketë deficit të lartë tregtar dhe kapacitete të kufizuara për të përballuar sfidat ekonomike. Komisioni Evropian veçon gjithashtu problemet në sektorin e energjisë, ku njësitë e vjetruara të prodhimit, mungesa e kapaciteteve për ruajtjen e energjisë dhe pengesat në rrjetin e transmetimit e shpërndarjes ndikojnë në sigurinë energjetike dhe në tranzicionin drejt burimeve të ripërtëritshme.

Sa i përket dialogut me Serbinë, raporti konstaton se, ndonëse palët kanë vazhduar pjesëmarrjen në procesin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, nuk është shënuar zbatim i mjaftueshëm i obligimeve që dalin nga Marrëveshja e vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe aneksi i zbatimit të saj.

Përparim është shënuar në çështjen e personave të zhdukur, lëvizjen e lirë dhe ndihmën e ndërsjellë juridike, por një pjesë e marrëveshjeve të arritura vazhdojnë të mbeten të pazbatuara. Komisioni u bën thirrje të dyja palëve që të tregojnë përkushtim më të madh, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Megjithatë, raporti evidenton edhe zhvillime pozitive. Kosova ka vazhduar përafrimin me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, duke treguar orientim të qartë strategjik drejt BE-së. Po ashtu, është vlerësuar angazhimi i vendit në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe pjesëmarrja në programe të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Komisioni Evropian thekson se Kosova duhet të vazhdojë me reforma konkrete, të forcojë sundimin e ligjit, të përmirësojë funksionimin e institucioneve dhe të krijojë stabilitet politik, në mënyrë që të avancojë në rrugën e saj drejt integrimit evropian.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit