Kujt i konvenon të ketë destabilitet në Kosovë?


E diel, 6 Nëntor 2022

Autor: Benjamin Krasniqi

Kosovari është kthyer në qenje politike. Jo se ka dashur të kththet në një makinë që prodhon politikë, por duke jetuar në këtë vend, e ka pasur të pamundur të mos ndikohet nga politika. Aq shumë ka depërtuar ndikimi politik në të, saqë është bërë e zakonshme që sytë të kthehen nga ajo për të zgjidhur gati çdo problem që del në pah.
Duhet të theksoj se, për një vend në tranzicion, kosovarët janë një nga popujt e rrallë ballkanas që kanë treguar pjekuri të lartë politike gjatë zgjedhjeve (si në nivel lokal, ashtu edhe në nivel qendror). Brenda një kohe të shkurtër, duke ushtruar të drejtën demokratike të votës, i kanë ndëshkuar partitë politike, pikerisht për shkak të qendrimeve të tyre jo konstruktive. Këto qëndrime shpesh kanë gjetur mosaprovim në tërë shoqërinë e Kosovës, duke kaluar edhe bazat etnike.

Mospërcaktimi me kohë i kandidatëve të partive politike për zgjedhjet në nivel lokal dhe qëndror, dhe mos-shpalosja e programeve zgjedhore të cilat këta kandidatë u ofrojne qytetareve, kanë qenë të papranueshme për votuesit, dhe si rezultat i asaj, kandidatët dhe partitë e tyre jane ndëshkuar në zgjedhjet e fundit.

Patjetër që zgjidhja merr kohë dhe energji, por nuk është e pamundur. Një zgjidhje e duhur për këtë problem do duhej të ishte një dokument i hartuar nga qeveria, në bashkëpunim me shoqërinë civile, opozitën dhe grupet e tjera të interesit në vend. Një dokument i tillë mund të ketë formën e një plani 25 vjeçar, me vizion, mision, objektiva, dhe strategji të qarta për vendin. Në këtë mënyrë, partitë do të duhej të rregullonin planprogramet e tyre sipas vijave të këtij dokumenti të madh. Në të njejtën kohë, qytetarët do kishin një dokument bazë, të detajuar, me anë të cilit do gjykonin planprogramet e ngritura parazgjedhore, si dhe punën katër vjeqare të atyre që kanë marrë besimin e qytetarëve. Referendumi do ishte mënyra se si qytetarët do votonin pro apo kundër një dokumenti të tillë.
Në qoftë se referendumi do kalonte, të gjitha qeveritë e ardhshme të Kosovës, do ta kishin për obligim ta zbatojnë këtë plan afatgjatë i cili në bërthamën e saj do të bazohej në ruajtjen dhe fuqiziminin e trekëndeshit: familja, kombi dhe shtetit. Saktësisht, në rruajtjen dhe fuqizimië e rolit të familjes, në procesin e fuqizimit të vazhdueshëm të ngritjes e vetëdijes kombetare dhe e asaj shterore.

Kosova është një copë toke e krijuar mbi vendimin e shumë brezave për të luftuar deri në flijim. Sot ka nevojë të ruhet më shumë se kurrë.

Jam qytetar i parreshtuar në njërën apo tjetrën anë të ekstremeve politike. Sidoqoftë, jam i rreshtuar fortë pas kërkimit të zgjidhjeve për problemet dhe sfidat shoqërore. Këtu mendoj të vazhdoj jetën, e të rris fëmijët. Prandaj ndihem i obliguar të shkruaj lidhur me disa tendenca që së voni kanë filluar të ndikojnë drejtpërdrejtë në qëndrueshmërinë dhe fuqizimin (ose dobësimin) e shtetit. Secila nga këto tendenca sulmojnë diku në trekëndëshin e lartpërmendur. Rezultati përfundimtar janë përqarjet politike, dhe kombëtare.

Sot Kosova, edhe pas 20 vite nga perfundimi i luftës, gjendet në një situat aspak të mirë. Vitet e fundit, fatëkeqësisht, janë karakterizuar me një tendencë të dukshme të përqarjes së shoqerorisë kosovare, Edhe pse në dukje pankartat e grupeve të përqara jepen si ideale, ato s’janë më shumë se produkte të dala nga tensionet politike. Këto tensione, me burim partitë opozitare, kanë tendencë që me çdo kushtë të nxisin popullatën për të protestuar për çështjet të cilët nuk janë adresuar në mënyrë të mirëfilltë që 20 vite në Kosovë. Ndërsa pikerisht këto parti të cilat tani gjenden në opozitë kanë qeverisur me vendin, kush më pak e kush më shumë, pa pasur një qëndrim konstruktiv ndaj kauzave publike që tani mbështesin dhe për të cilat kërkohet ndryshim.

Partitë opozitare tentojnë që përmes nxitjes së këtyre protestave, të cilët fillimishte do të jenë selektive dhe paqësore, që në pranver të intensifikohen me mundesi të përshkallëzimit të tyre në formën e nxitjes së trazirave sociale apo edhe asaj politike. Këtë ata sjellin në jetë përmes infrastrukturës së tyre ëe gjerë e të krijuar gjatë këtyre 20 vitet të qeverisjes së tyre, me theks të veçant të mediave (të afërta me opoitën), analistëve të ndryshëm (publikisht) të pavarur dhe disa perfaqesues të shoqërisë civile, të cilët në vazhdimësi kanë mbështetur këto partitë.

Strategjia është e thjeshtë. Krijo përshtypjen e një ambienti të pasigurt, mbill shqetësim në sa më shumë fusha, dhe lëre panikën të gjej rrugë deri tek qytetari i zakonshëm kosovar. Përderisa kjo panikë merr dhenë, përqarësit vazhdojnë të jetojnë të qetë, dhe nga grupe të caktuar shihen si mbështetës të qytetarit, dhe luftëtar të mirëqenjes sociale.

Ky përshkallëzim i sigurisë në vend, përderisa procesi i dialogur ka arritur kulmin e intensifikimit, dhe dinamikat e marrdhënjeve mes Kosovës dhe BE-së dhe SHBA-së janë bërë kaq të ndjeshme, është i papranueshëm dhe i dëmshëm për interesin afatgjatë të Kosovës.

Eshte e qartë, që këto parti opozitare në Kosovë, i ka goditur fortë realiteti që, pas 20 viteve pushtet, janë ndëshkuar nga votuesit për shkak te mosrealizimit të premtive të bëra gjatë kësaj periudhe. Po ashtu, asesi nuk munden të pajtohen që tani si rezultat i zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë, është krijuar një realitet i ri, i cili ka kufizuar aftësitë e tyre për të ndikuar politikat e shtetbërjes me metoda të cilat i kemi dëshmuar për dy dekada. Tani kanë mbetur vetëm metodat demokratike, dhe ato me më pak vende se kurrë në parlament, dhe me gjysmë-manual veprimi si opozitë.

Nxitja e tensioneve, krijimi i kësaj ndjenje të pasigurisë, shqetësimi dhe panika brenda shoqërisë kosovare duhet të jenë një motivues i madh në zgjedhjet e rradhës që të ndëshkojnë këtë klasë politike me të njejtin zell të treguar me 202ç. Për shkak se këto lëvizje nga opozita tentojnë të ndikojnë individin duke goditur masën, një vetëshqyrtim nga qytetari është i nevojshëm në mënyrë që kur koha e zgjedhjeve të vij, në të të mbijetoi ajo vendosmëri për të mos lejuar udhëheqjen e atyre që kanë qeverisur, bashkë me biznese të caktuara, ashtu siç kemi dëshmuar për një kohë kaq të gjatë.

Janë dy qëllime kryesore përse, nga burime jo të mira, janë nxitur këto çështje. Ato tentojnë të shpërqëndrojnë dhe të destabilizojnë rolin e Kosovës nga
(a) negociatat ndermjet Kosoves dhe Serbisë, si dhe nga
(b) operacionet policore, të koordinuara me forcat e KFOR-it në veri të vendit, aty ku ndikimi serb dhe rus është i madh si në politikë, por edhe në lulëzimin e krimit të organizuar.

Qështjet ekonomike/sociale:

Kriza ekonomike globale të krijuara nga Covid-ç9 dhe lufta në Ukrainë ka pasur ndikim negativ në ekonominë globale, dhe si rezultat i saj edhe ndikim negativ në ekonominë e Kosovës.

Në këto rrethana, me buxhetin e saj të kufizuar, shteti i Kosovës nuk është në gjendje të sigurojë funksionimin e saj të qendrueshëm, në qoftë se përnjëherë shfaqen të gjitha kërkesat për rritjen e mirëqenies sociale të shoqërisë së Kosovës. Dihet se nevojat për ngritjen e mirëqeniesë sociale e popullatës së Kosovës janë problem i moqëm, dhe rrethanat momentale e pamundesojnë që të adresohen në mënyrë të mirëfilltë nga qeveria aktuale. Ky kombinim situatash është një recetë që këto grupe në prapavijë e kanë shfrytëzuar në maksimumin e potencialit të saj.
Prandaj, me anë të nxitjes së grevës në arsim dhe qështjes së pensionistave, partitë opozitare tentojnë të manipolojnë me arsimtarët dhe penzionistet, duke kthyer fokusin e tyre vetëm nevojën e tyre të menjëhershme për ngritje pagash/pensionesh. Realiteti i gjerë ekonomik, dhe strategjitë ekonomike afatgjate s’duket të jenë në mendjen e opozitës, dhe si pasoje as në mendjen e atyre që kanë rënë pre e nxitjeve të tyre. Tani, le ti shohim më në detaje, këto dy skema, dhe një të tretë.

1. Greva në arsim

Arsimi i mirëfilltë, cilësor dhe me kohë i femijëve tanë është obligimi i secilit në vend. Ky koncept i provuar me shekuj është bazamenti që i jep forcë shtyllave që përmendëm më lart; familjes, kombit, shtetit. Si i tillë, ai mund të shërbejë si alarm për secilin, kur provohet të shuhet, pengohet, apo ndikohet negativisht.
Në qoftë se krahasohet angazhimi, perkushtimi dhe infrasruktura arsimore të cilën kanë pasur arsimtarët gjatë arsimimit paralel gjatë masave të dhunshme të paraluftës me angazhimin dhe përkushtimin e tyre në kohën e pas luftës, vërehet një diskrepancë. Hendeku nuk është i parëndësishëm. Kushtet dukshëm më të mira për të zhilluar mësimet, krahasuar me kushtet të cilat kanë pasur arsimtarët në kohën e paraluftës dhe rënja në cilësinë e arsimit janë një paradoks që duhet të shqyrtohet.

Fatkeqësisht, me organizimin e grevës, arsimtarët kosovarë kanë lejuar që përmes Sindikatës së Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), të manipulohen nga partitë opozitare. Si rezultat i asaj fokusi i tyre nuk që organizimi i procesit mësimor për fëmijët në kohën e paraparë. Synimi i tyre për një muaj të tërë ishte plotësisht individual. Dihet se draft projekti i ligjit për pagat në sektorin publik është ende në fazën e diskutimit publik dhe nuk mund të realizohet menjëherë deri sa nuk përfundohet së pari një proces i gjatë i diskutimit. I njëjti në fund votohet në parlament.

Me këtë qasje, ata kanë lejuar të shpërqendrohen nga misioni i lartvlerësuar i arsimimit dhe edukimit të fëmijëve dhe të rinjëve të këtij vendi. Një shpërqëndrim i tillë s’duhet të pranohet si i zakonshëm dhe i arsyetueshëm.
Arsimimi, si një nga shtyllat kryesore të një shoqërie, duhet pasur vëmendjen e organeve të duhura shtetërore. Mjerisht, që një kohë të gjatë nuk e ka pasur. Gjatë tërë periudhës së pasluftës jemi fokusuar vetëm në ndërtimin e infrastruktures shkollore, por asnjëhere nuk jemi marrë seriozisht me nivelin përgaditor të arsimtarëve, dhe aftësimin e tyre të vazhdueshëm.

Nevoja për ngritjen e mirëqenies sociale nuk është selektive vetëm për arsimtarët, por për gjithë sektorët dhe gjitha shtresat shoqërore. Prandaj, një muaj grevë në arsim ka krijuar dëme të pariparueshme në procesin e arsimimit të fëmijëve. Ndalimi, dhe më pas zvarritja e procesit arsimor gjatë pandemisë do duhej të kishte mjaftuar për të mos pranuar as edhe një ndalim a pengesë të dytë brenda kaq pak kohe.

Jodetyrimisht mësimdhënësit janë ata që duan greva, por është përpjekja e partive opozitare, përmes kryesindikalistit të SBAShK-ut, të krijohet një ambient i pasigurisë, shqetësimit dhe panikës brenda shoqërisë kosovare, i orientuar drejt nxitjes së krizave dhe trazirave sociale. Gjurmët e një ndikimi të tillë të tërthortë janë të qarta.

2. Pensionistët

Pensionistët janë një nga shtresat më të lëna pas dore që nga paslufta e deri me tani. Gjithmonë të anashkaluar dhe të harruar nga shteti, me një dallim deri diku të dukshëm viteve të fundit. Mund të themi me siguri, duke mos dashur ta idealizojmë trajtimin e tyre të tanishëm, se asnjë qeveri deri më tani nuk i ka trajtuar më dinjitetshëm. Për këtë janë të vetëdijshem edhe vetë pensionistet, prandaj nuk janë përgjigjur thirrjeve për të dalur dhe protestuar për ngritjen e mirëqenies sociale të tyre. Ky grup i shoqërisë duket të jenë të vetdijshem për rrethanat ekonomike në të cilën momentalisht gjendet Kosova për shkak të buxhetit të kufizuar, të ndikuar nga kriza ekonomike globale të krijuara nga Covid-ç9 dhe lufta në Ukrainë.

3. Përdorimi i shamive në objektet arsimore nga ana e nxënëseve

Ambienti i cili është krijuar në Kosovë për shkak të intensifikimit të aktiviteteve të partive opozitare për të krijuar një mjedis të pasigurisë, shqetësimit dhe panikës brenda shoqërisë se Kosovës është vrejtur edhe në rastin e përdorimit të shamive në objektet arsimore nga ana e nxënëseve.

Kjo çështje është një problem i vjetër, i cili ështeë aktualizuar tash së voni dhe i ambalazhuar si problem i ri. Ai ka dalë në siperfaqe pikërisht në kohën kur qeveria dhe shteti po merret me vendosjen e receprocitetit me Serbinë dhe luftimin e krimit të organizuar në pjesën e veriut të Kosovës. Kjo rishpërfaqje dhe të tjera të tilla kanë tendence për të destabilizuar përpjekjen serioze të qeverisë për ta kontrolluar sigurinë e asaj pjese të Kosovës. Përfshirja e shërbimeve serbe dhe ruse në rishpërfaqje të tilla problemesh të vjetra s’është e vështirë të kuptohet. Qudia është se si personat që ngrisin këto çështje kaq qartë të nxitura nga nëntoka, me tendenca shkatërruese për Kosovën, gjejnë kaq përkrahje në popullsinë e gjerë.

Zgjidhja është e qartë. çështja e perdorimit të shamive duhet të adresohet nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) dhe Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), në përputhje me nenin 8 të Kushtetutës së Kosovës, e cila ka të bëjë me të drejtën e garantuar për të praktikuar fenë hapur. Për implikimet e këtij neni, dhe çështje të tjera që mund të ndikojnë zbatimin e tij, diskutimi duhet të jetë i hapur dhe konstruktiv.

Pyetja sërish mbetet. Kujt i konvenon të ketë destabilitet në Kosovë?

Përgjigjjen të cilën secili qytetar i Kosovës duhet të jep në mënyrë objektive, duke analizuar paraprakisht gjitha rrethanat, dhe siguruar që nuk është i ndikuar nga qendrimet sipërfaqësore dhe emocioanele te disa përfaqësues të partive politike, mediumet dhe analistët përkatëse. Vetëdija e ngritur e qytetarit është thelbësore, për të dhënë përgjigjen e mirëfilltë në këtë pyetje.

Përgjigja është e qartë dhe lehtë e plotësuar nga secili qytetar. Ajo çfarë mbetet, kur kriza të reja të ngriten, dhe nxitje të punuara më me kujdes të shpërfaqen, është që qytetari të shqyrtoi vetën vazhdimisht, dhe të pajiset me një vetëdije se cili është roli i tij i plotë në demokraci, cili është vizioni shtëtëror i Kosovës, si arrihet atje, dhe cili është hapi që mund të hedhë që sot në këtë drejtim. Vetëm kështu, ai mund të mbrohet nga ndikimet që nuk përputhen me këto tri përbërës të shtetbërjes. Me përgjegjësi individuale dhe familjare, vetëdije kombëtare, dhe besim në të mirën afatgjate të vendit ai kthehet në një ndikues pozitiv politik; një pengues dhe zbrapës i çdo ndikimi që me apo pa qëllim s’ka të mirën e vendit si synim.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Etiketa:

Leave a Reply