Kur qeveria s’është në shërbim të popullit, poshtërimi bëhet politikë dhe tradhtia jetë e përditshme


E martë, 19 Maj 2026
Kur qeveria s’është në shërbim të popullit, poshtërimi bëhet politikë dhe tradhtia jetë e përditshme

Kur sigurinë e krenarinë nuk e kërkon te besimi yt, por te ai që ta urren besimin

Gjatë vizitës së Presidentit të SHBA-së Trump në shtetet e Gjirit, ndodhën shumë gjëra që i habitën të gjithë, madje edhe vetë Trump-in. E gjithë bota pati mundësinë të shikonte presidentin e SHBA-së duke u mburrur si një pallua, duke shprehur habinë e tij për plaçkën e madhe që tejkaloi të gjitha pritjet e tij.

Trump u prit si një mbret në Arabinë Saudite: pasuri, luks, dhurata, duartrokitje dhe një qilim i ngjyrosur sipas dëshirave të tij. Gjithçka iu server, edhe më shumë sesa kërkoi.

Trump u mahnit gjithashtu nga madhësia e dhuratave personale që iu përgatitën si shenjë besnikërie dhe përkushtimi, si dhe nga pritja e ngrohtë që ai kurrë nuk e ëndërroi se do ta përjetonte në rajonin musliman ku ndodhi masakra më e madhe ndaj muslimanëve, vëllezër sipas kombit dhe fesë, të cilët i dhanë presidentit amerikan një pritje të paparë.

Nëse rastësisht Trump do të vizitonte një vend që nuk e njeh Islamin, por di për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë amerikane në gjakderdhjen për fëmijët në Rripin e Gazës, ai do të pritej me protesta masive, bojkote, vezë dhe këpucë.

Por për sa na përket neve, nuk habitemi më nga gjëra të tilla. Jemi mësuar me servilizmin e regjimeve arabe ndaj Perëndimit dhe bindjen e tyre të verbër ndaj udhëheqësve të atyre vendeve. Ajo që dhemb veçanërisht është përulësia dhe frika e tepërt e këtyre regjimeve në dëshirën e tyre për t’i kënaqur ata, shpesh edhe më shumë sesa pritet prej tyre. Nuk e gjejmë një fenomen të tillë në asnjë vend tjetër, madje as në vendin më të dobët ose më të pazhvilluar jashtë botës arabo-muslimane.

Kjo është arsyeja pse Trumpi arrogant e ruajti këtë vizitë për momentin kur do t’i duhej të mburret para “peshkaqenëve” financiarë që e mbështetën për të ardhur në Shtëpinë e Bardhë, duke u renditur atyre fitimet e mëdha që u solli nga “ferma” e tij, për mirëmbajtjen e së cilës nuk investon asgjë, mjafton t’i shantazhojë ata me kërcënimin e zbulimit të skandaleve të tyre dhe ndërprerjes së mbrojtjes.

Kështu, ndër fitimet më të rëndësishme të kësaj vizite ishte “xhizja” prej 600 miliardë dollarësh, të cilën ai synon ta rrisë në një trilion dollarë nga Emiratet dhe Katari, duke përfshirë kontratën më të madhe ushtarake në histori, me vlerë 142 miliardë dollarë, të ardhurat e së cilës ndahen midis kompanive më të mëdha ushtarake amerikane.

Dikush mund të thotë: Pse të mos e shohim anën pozitive të kësaj marrëveshjeje, siç është përmirësimi i aftësive mbrojtëse të vendeve të Gjirit?

Përgjigja e kësaj pyetjeje është shumë e dhimbshme dhe përmban një kundërpyetje kyçe: Dhe nga kush po mbrohen vendet e Gjirit? Kush nga fqinjët e tyre e kërcënon Gjirin me luftë, përveç entitetit kriminal sionist që i vetmi në botë nuk njeh kufij dhe pretendon se kufijtë e tij arrijnë aq larg sa mund të arrijë ushtria e tij?

Provë për këtë është pushtimi sionist i pjesëve të territorit të të gjitha shteteve fqinje pa pranuar të tërhiqet prej tyre. Për më tepër, vetë Trump ka deklaruar se mbështet zgjerimin e kufijve të këtij entiteti kriminal.

A mundet dikush me qëllime dhe pretendime të tilla të dorëzojë armë të afta për t’iu kundërvënë armëve më moderne dhe të fuqishme që Trump po i jep aleatit të tij më besnik?

Pavarësisht se sa naivë ose të prirur ndaj iluzioneve mund të jemi, nuk mund të besojmë se këto armë janë efektive ose edhe afërsisht të barabarta me armët e një armiku që shpreh hapur qëllimet e tij agresive. Megjithatë, ata që kanë humbur prej kohësh dinjitetin e tyre duan të na bindin se Trump është një mik, dhe madje një aleat, i muslimanëve.

Trump nuk është një aleat – ai është një tregtar lufte, i cili e di se regjimet arabe kërkojnë sigurinë e tyre jo nga populli i tyre, por nga mentorët e huaj. Kjo është arsyeja pse i japin Trump triliona dollarë, por nuk u japin as një kore bukë njerëzve të uritur të Gazës. Dhe kur qeveria nuk është në shërbim të popullit, por në shërbim të interesave të huaja, atëherë poshtërimi bëhet politikë dhe tradhtia bëhet e përditshme. Është koha të kuptojmë se dinjiteti nuk blihet me armë, por rifitohet me vetëdije, unitet dhe guxim. /tesheshi


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit