E martë, 19 Maj 2026

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës së Maqedonisë së Veriut, gjeneral-majori Sashko Llafçiski, mori pjesë në takimin e rregullt të Komitetit Ushtarak të NATO-s në format të shefave të shtabeve të përgjithshme të vendeve anëtare të NATO-s dhe shteteve partnere, transmeton Anadolu.
Takimi u mbajt në selinë e Aleancës në Bruksel, Mbretëria e Belgjikës.
Sipas njoftimit nga Shtabi i Përgjithshëm i Armatës, në takim, i cili u kryesua nga kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Giuseppe Cavo Dragone, u diskutua për situatën aktuale të sigurisë, forcimin e parandalimit dhe mbrojtjes kolektive të Aleancës, vazhdimin e investimeve në mbrojtje, rritjen e prodhimit ushtarak, mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën si dhe bashkëpunimin ndërmjet BE-së dhe NATO-s.
Në fjalimin e tij, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte theksoi rëndësinë e ruajtjes së unitetit të aleatëve, gatishmërisë dhe aftësisë për t’u përballur me sfidat bashkëkohore të sigurisë.
“Në takim, në sesione të ndara, fjalime mbajtën edhe komandanti i Komandës Supreme Aleate për Evropën (SACEUR), gjenerali Alexus Grynkewich si dhe komandanti i Komandës Supreme Aleate për Transformim (SACT), admirali Pierre Vandier, të cilët i informuan shefat e shtabeve të përgjithshme për aktivitetet aktuale, gatishmërinë e NATO-s dhe proceset transformuese në Aleancë”, thuhet në njoftim.
– Gjenerali Lafçiski theksoi përkushtimin e Armatës ndaj sigurisë rajonale dhe kolektive
Në njoftim thuhet se gjenerali Llafçiski mori pjesë aktive në diskutimet lidhur me sfidat globale të sigurisë, interoperabilitetin, gatishmërinë e Aleancës për parandalim dhe mbrojtje si dhe bashkëpunimin me vendet partnere.
“Në paraqitjen e tij, gjenerali Llafçiski theksoi përkushtimin e Armatës ndaj sigurisë rajonale dhe kolektive përmes pjesëmarrjes në misione ndërkombëtare, operacione dhe aktivitete të NATO-s, përfshirë misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR), operacionin ‘ALTHEA’ në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe aktivitetin ‘Forward Land Forces – FLF’ në Bullgari dhe Rumani”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu në njoftim thuhet se në takim u theksua rëndësia e stërvitjes kombëtare “Blesok 26” dhe vlerësimit të Grupit të Lehtë Këmbësor të Batalionit (LPBG), si objektiv primar i kapaciteteve të NATO-s, si dhe proceset e vazhdueshme të modernizimit dhe pajisjes së Armatës në drejtim të forcimit të gatishmërisë së saj operative.
– Llafçiski zhvilloi takim edhe me pjesëtarët e Armatës në selinë e NATO-s në Bruksel
Në margjinat e takimit, gjenerali Llafçiski zhvilloi takim bilateral me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Republikës Federale të Gjermanisë, gjeneral-nënkolonelin Carsten Breuer, ku u diskutua për mbështetjen ndaj Ukrainës, të ardhmen e Komitetit Ushtarak dhe Aleancës si dhe për mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral ushtarak, modernizimit dhe pajisjes.
Në kuadër të vizitës në Mbretërinë e Belgjikës, gjenerali Llafçiski zhvilloi takim edhe me pjesëtarët e Armatës të vendosur në Përfaqësinë Kombëtare Ushtarake të Republikës së Maqedonisë së Veriut në selinë e NATO-s në Bruksel.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
