Kur t’i besosh intuitës (e kur jo)


E mërkurë, 12 Gusht 2026
Kur t’i besosh intuitës (e kur jo)

Intuita është bërë modë. Dëgjo çfarëdo podkasti apo hap çfarëdo libri vetëndihmues dhe do të gjesh të njëjtën këshillë: besoji instinktit, dëgjoje trupin, ndiq atë që të thotë zemra.

Problemi është se intuita nuk vjen e etiketuar. Askund nuk shkruhet se nga ka ardhur. Ndonjëherë pas saj qëndrojnë vite përvoje. Ndonjëherë është thjesht një paragjykim i maskuar bukur. E ndonjëherë është thjesht frikë.

 Shkenca tregon diçka shumë më konkrete nga ç’e përfytyrojmë zakonisht. Pjesa më e madhe e asaj që e quajmë intuitë është dije e mësuar që del në sipërfaqe përpara se fjalët ta zënë: truri ynë njeh një model të njohur pa e kuptuar ne fare — dhe aq shpejt, saqë përgjigjja mbërrin para se të dimë ta shpjegojmë.

Intuita, pra, është proces mendor. Në disa rrethana funksionon shkëlqyeshëm, në disa të tjera dështon keq. Gjithë mjeshtëria qëndron te dallimi mes tyre.

Zakonisht e marrim forcën e një ndjenje si masë të rëndësisë së saj. Dhe shpesh kjo qëndron: një dhimbje therëse tregon plagë më të rëndë se një dhimbje e mpirë; një trishtim i thellë tregon humbje më të madhe se një zhgënjim i lehtë. Me intuitën, kjo logjikë nuk vlen. Një parandjenjë mund të jetë shumë e fortë dhe njëkohësisht krejt e gabuar.

Dallimi qëndron te fakti se intuita mësohet. Jo nëpër libra, por përmes përsëritjes. Studiuesit e quajnë mësim të nënkuptuar: kur truri përballet mjaftueshëm shpesh me diçka, ai fillon t’i regjistrojë modelet e përsëritura dhe t’i ripërdorë ato — edhe pse ne s’arrijmë t’i shprehim dot me fjalë.

Kështu e kupton që një fjali “të tingëllon shtrembër”, pa ditur cilën rregull po shkel. Ose kështu e ndien që biseda po tendoset, një çast përpara se të mund të thuash saktësisht çfarë ndryshoi.

Ky lloj të mësuari kalon kryesisht nëpër ganglionet bazale — po ato struktura të trurit që i ngulisin përmes përsëritjes shprehitë si drejtimi i makinës apo leximi. Nuk kalon nëpër sistemet që ruajnë fakte të cilat mund t’i kujtojmë me vullnet. Prandaj rezultati na vjen si ndjesi, jo si shpjegim.

Këtu qëndron edhe rreziku: mësimi i nënkuptuar nuk ka kontroll cilësie. Truri regjistron gjithçka që haset mjaftueshëm shpesh — të saktë a të pasaktë, s’ka rëndësi. Ndaj fakti që një intuitë ndihet e fortë nuk provon aspak se është e drejtë.

Në një eksperiment, pjesëmarrësve iu kërkua të gjykonin drejtimin e pikave në lëvizje. Ndërkohë, para syve u shfaqeshin fshehurazi imazhe emocionale, aq shpejt sa nuk i vinin re fare. Kur ato imazhe të padukshme e drejtonin vazhdimisht drejt përgjigjes së saktë, saktësia dhe siguria e pjesëmarrësve u rrit ndjeshëm. Kur imazhet ishin krejt të rastësishme, nuk ndryshoi asgjë. Përfundimi: intuita vlen vetëm kur pas saj qëndron një model i besueshëm.

E njëjta gjë duket edhe te profesionistët nën presion. Një studim i njohur i viteve ’80 mbi komandantët e zjarrfikësve zbuloi se ata rrallë ndaleshin të krahasonin alternativa. Ata e njihnin menjëherë situatën si të ngjashme me diçka të kaluar, e përputhnin me një zgjidhje që kishte funksionuar dikur, bënin një kontroll të shpejtë në mendje dhe vepronin. Studiuesit e quajnë këtë “vendimmarrje e nxitur nga njohja”.

Por një intuitë e tillë lind vetëm aty ku përgjigjja vjen shpejt dhe qartë. Zjarrfikësi e merr vesh brenda pak minutash nëse vendimi i tij ishte i drejtë. Një analist televiziv, një investitor apo një drejtues që punëson njerëz mund të presë me vite — ose të mos e marrë vesh kurrë. Prandaj ata e kanë shumë më të vështirë ta masin drejt vetëbesimin e vet.

Nëse nuk je zjarrfikës, atëherë, si mund ta përdorësh më mirë intuitën tënde?

Në vend që ta ndjekësh verbërisht një parandjenjë ose ta hedhësh poshtë menjëherë, mund të ndalesh e të matësh sa peshë ia vlen t’i japësh. Tri pyetje mjaftojnë për ta kthyer një ndjesi të turbullt në diçka që mund ta vlerësosh:

Intuita duhet të jetë vetëm një zë në procesin e vendimmarrjes, jo zëvendësuese e kureshtjes dhe e provës praktike. Po, ajo mund të të japë një lexim të shpejtë e të saktë, të mbështetur në përvojën tënde — por mund edhe të të gënjejë.

Ndaj, herën tjetër që të kesh një parandjenjë, mos e ndiq verbërisht, por as mos e përbuz. Trajtoje si informacion: nga erdhi, a e ke fituar vërtet, dhe si mund ta vësh në provë. Sepse intuita e mirë, në fund të fundit, nuk është veçse aftësi për të njohur modele. Gjithë mjeshtëria qëndron te dallimi mes një modeli të besueshëm dhe një ndjenje thjesht të fortë. S’ka asgjë magjike këtu — vetëm praktikë.

Marrë nga Big Think. Solli në shqip Tesheshi.com

Anne-Laure Le Cunff është neuroshkencëtare dhe sipërmarrëse e vlerësuar me çmime.


Burimi: tesheshi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit