Kurti priti përfaqësues shqiptarë nga Presheva, Medvegja, Bujanoci dhe Pazari i Ri


E martë, 27 Tetor 2026
Kurti priti përfaqësues shqiptarë nga Presheva, Medvegja, Bujanoci dhe Pazari i Ri

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, organizoi pritje për përfaqësuesit shqiptarë nga Presheva, Medvegja, Bujanoci dhe Pazari i Ri, pas zgjedhjeve në Serbi, në të cilat partitë shqiptare të bashkuara në listën “Koalicioni Shqiptar”, fituan dy mandate në Kuvend.

Duke i uruar për rezultatin e arritur, kryeministri Kurti u tha se fitorja juaj është dyfish historike, sepse keni realizuar një rekord të ri, krahasuar me vitin 2020, por edhe për shkak se jeni pjesë e një ndryshimi të madh.

“Nga 18 lista që kanë garuar në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, vetëm gjashtë kanë siguruar mandate, pra 12 jo, veç një e treta e listave ka mandate. Nga nëntë lista të pakicave kombëtare, vetëm katër, pra as gjysma e tyre kanë siguruar mandate. Shqiptarët, janë pakica e katërt për nga popullsia në Serbi, por janë renditur të dytët për nga votat dhe të parët për nga mandatet, së bashku me hungarezët, ndër listat e pakicave kombëtare. Ndër listat parlamentare, të katërtit për nga votat dhe të tretët për nga mandatet. Dy partitë më të mëdha kanë së bashku 244 mandate. Katër listat e pakicave, gjashtë. Dy prej tyre janë të Koalicionit Shqiptar”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti falënderoi secilin prej drejtuesve politikë, që vendosën të bashkohen, kandidatët që morën përgjegjësi dhe aktivistët, të cilët kanë punuar pa u kursyer.

“Bashkimi është mirë për të përgjithshmen, por është mirë edhe për secilin prej juve. E ky bashkim nuk duhet të përfundojë me datën 25 tetor, por duhet ta kuptojmë që me 25 tetor, ky bashkim, që është cilësi e re, e ka një kapitull të ri tash, kapitull, i cili duhet të vazhdojë me mbrojtje të fuqishme të drejtave, me kërkesën për barazi dhe në përpjekjen për jetë dinjitoze në vendlindje”, tha kryeministri Kurti, duke theksuar se dy mandatet janë arritje e përbashkët, e mbi të gjitha, janë edhe përgjegjësi e përbashkët.

Të nderuar Shaip Kamberi, Visar Mehmeti, Ardita Sinani, Shqiprim Musliu, Salih Salihu, Armend Aliu, Nagip Arifi, Naser Haziri, Enkel Rexhepi, Amina Nuraj dhe Ragmi Mustafi.

Të nderuar përfaqësues të tjerë nga Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Pazari i Ri.

Më 29 shtator, kur u takuam së bashku këtu në Kryeministri me juve, përfaqësues të shqiptarëve nën Serbi, u dakorduam për një qëllim të përbashkët, që Presheva, Medvegja, Bujanoci, Pazari i Ri, të përfaqësohen së bashku. Pra, të gjitha subjektet politike shqiptare në një listë që quhet “Koalicioni Shqiptar”.

Sot, më pak se një muaj më vonë, kur tashmë janë përpunuar 8.187 nga gjithsej 8.392 vendvotime, apo 97,56% e tyre, dhe kanë mbetur vetëm 205 vendvotime pa u përpunuar, e kemi një përgjigje të qartë nga qytetarët.

Koalicioni Shqiptar 27.670 vota! Ky është rezultati më i lartë i shqiptarëve që nga viti 2000. Plot 1.233 vota më shumë se në vitin 2020, kur u patën fituar tri mandate.

Me rritjen prej 35% të koeficientëve zgjedhorë për pakicat kombëtare, ky rezultat ka ekuivalentin përllogaritës të 37.354 votave.

Nga 18 lista që kanë garuar në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, vetëm gjashtë kanë siguruar mandate, pra 12 jo, veç një e treta e listave ka mandate. Nga nëntë lista të pakicave kombëtare, vetëm katër, pra as gjysma e tyre kanë siguruar mandate.

Shqiptarët, janë pakica e katërt për nga popullsia në Serbi, por janë renditur të dytët për nga votat dhe të parët për nga mandatet, së bashku me hungarezët, ndër listat e pakicave kombëtare. Ndër listat parlamentare, të katërtit për nga votat dhe të tretët për nga mandatet.

Dy partitë më të mëdha kanë së bashku 244 mandate. Katër listat e pakicave, gjashtë. Dy prej tyre janë të Koalicionit Shqiptar.

Këto zgjedhje sollën ndryshime të mëdha në skenën politike në Serbi. Lista Studentore doli e para, koalicioni i Vuçiqit e humbi shumicën parlamentare, ndërsa lista e Daçiqit mbeti jashtë Kuvendit.

Një çerek shekulli më vonë, pas humbjes së Millosheviqit dhe Sheshelit në fillim të shekullit XXI, edhe pasardhësit e tyre politikë, Vuçiqi e Daçiqi, humbën.

Prandaj, fitorja juaj është dyfish historike, sepse e keni realizuar një rekord të ri, krahasuar me vitin 2020, por edhe për shkak se jeni pjesë të një ndryshimi të madh, i cili tash është mundësuar te fqinji jonë verior i Republikës së Kosovës dhe për të cilën pa dyshim që e keni një kontribut të gjithë ju secila e secili, jo vetëm në ditën e zgjedhjeve, por gjithë atë punë e angazhim që e keni bërë, që dihet e s’dihet ndër shumë e shumë vite me punë të mundimshme, por që ia kanë vlejtur fort të dielën e 25 tetorit.

Tash, rëndësia e rezultatit shqiptar nuk qëndron natyrisht vetëm te numrat. Qëndron te rrethanat në të cilat është arritur.

Në rrethana të pasivizimit të adresave, mosnjohjes së diplomave, përjashtimit sistematik nga institucionet publike, diskriminimit ekonomik, emigrimit dhe zbrazjes së vendbanimeve shqiptare, e tash, për më shumë se dy dekada, shqiptarët kanë qenë pra një farë opozite e dyfishtë. Opozitë ndaj pushtetit dhe opozitë ndaj shtetit, i cili e kishte vendosë veten në opozitë ndaj tyre.

E megjithatë, shënuat rezultatin më të lartë zgjedhor në më shumë se dy dekada. Pra, është një fitore përkundër vështirësive, që nuk i kishin të tjerët.

Dua të falënderoj secilin prej drejtuesve politikë, që vendosën të bashkohen, kandidatët që morën përgjegjësi dhe aktivistët, të cilët kanë punuar pa u kursyer. Ju falënderoj të gjithë juve këtu. Jam përjetë mirënjohës, por natyrisht besoj që bashkë mund t’i falënderojmë edhe ata që nuk janë sot në mesin tonë, të cilët ju i përfaqësoni, por ju e dini sa shumë kanë punuar e ndoshta unë, për dallim prej juve, s’do t’ia mësoj asnjëherë emrin atyre, veçse emri i tyre kumbon fort në fitoren e përbashkët, e cila tregoi se çfarë vlere dhe peshe mund të ketë përbashkimi shqiptar.

Edhe njëherë faleminderit shumë dhe unë uroj që tash do të vazhdojmë të jemi bashkë, në mënyrë që sa më shumë të koordinohemi për sfidat, të cilat na presin, meqenëse dallimet vazhdojnë me qenë të ndryshme midis partive, por ne do ta nxjerrim edhe vet mësimin, që kur e nxjerrim për përbashkëtën para dallimeve, e mbajmë më lartë se dallimet, rezultati është i tillë, që përfitojmë edhe së bashku, por dorën në zemër edhe veç e veç, sepse secili prej juve sot, jo veç në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, po kudo që ka shqiptarë, e ka autoritetin më të lartë. Secili prej juve e ka reputacionin më të mirë, pikërisht për shkak të këtij bashkimi.

Pra, bashkimi është mirë për të përgjithshmen, por është mirë edhe për secilin prej juve. E ky bashkim nuk duhet të përfundojë me datën 25 tetor, por duhet ta kuptojmë që me 25 tetor, ky bashkimi që është cilësi e re, e ka një kapitull të ri tash, kapitull, i cili duhet të vazhdojë me mbrojtje të fuqishme të drejtave, me kërkesën për barazi dhe në përpjekjen për jetë dinjitoze në vendlindje

Dy mandatet janë arritje e përbashkët, e mbi të gjitha, janë edhe përgjegjësi e përbashkët. Aty ku janë mundësitë më të mëdha, edhe përgjegjësia është më e madhe.

Pavarësisht ecurisë së fushatës parazgjedhore e problemeve në teren, ne do të qëndrojë gjithmonë pranë juve. Tash e kemi edhe stabilitetin institucional në Republikën e Kosovës në mënyrë të plotë dhe mos ejani duke trokitur, se për Preshevën, Medvegjën e Bujanocin e kemi hequr derën fare.

Edhe njëherë, urime, e gëzuar, e faleminderit për gjithë këtë punë e për tërë këtë sukses!


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit