Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Lazarat, qëllohet për vdekje një efektiv i RENEA-s, plagosen dy të tjerë

Prizren Post | 17:13 - 24.06.2015

Lazarat – Përgjaket Lazarati. Dyshohet se është vrarë një efektiv i forcave speciale të RENEA-s, Ibrahim Basha, 31 vjeç dhe janë plagosur dy të tjerë, Jetmir Isaji dhe Perlat Hamitaj, të cilët kanë qenë në aksion që prej mëngjesit të sotëm. Ai ka mbetur i vrarë pas një plumbi të marrë në pjesën e kokës, ku autorët e kanë qëlluar me snajper nga distanca.

Gjatë gjithë natës mes banorëve të Lazaratit dhe efektivëve të Policisë së Shtetit është raportuar për shkëmbime me armë zjarri. Të plagosurit kanë shkuar në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës për të marrë ndihmën e nevojshme.

Një prej punonjësve të policisë pritet që të niset drejt Spitalit të Traumave në Tiranë për mjekim të specializuar. Dyshohet se ai ka marrë plagë serioze në trup.

Policia e Shtetit thotë se personat që qëlluan në drejtim të policisë kanë qenë të stacionuar në një prej banesave të fshatit. Pas ngjarjes tragjike forca të shumta policie nga Fieri, Tirana, Elbasani e të tjerë janë nisur drejt Lazaratit për të neutralizuar situatën.

Ibrahim Basha, me banim në Tiranë, ka qenë në Lazarat për tu ardhur në ndihmë kolegëve të tij, të cilët gjatë natës janë gjendur nën breshërinë e plumbave. Banorë të Lazaratit kanë qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë të stacionuar prej kohësh në këtë fshat. Si pasojë e sulmit është kërkuar ndërhyrja e efektivëve të forcave speciale./GazetaShqip/


Etiketa:
Arivisti Company