E shtunë, 11 Nëntor 2017
Pal Lekaj është tërhequr pak në akuzat në drejtim të ish-Ministrit të Infrastrukturës, Lutfi Zharku. Tash, Ministri i ri nga radhët e AAK’së po thotë se ka dyshime për disa nënshkrime të zyrtarit të LDK’së për kohën sa ishte Ministër.
Lekaj po thotë se dyshimin kryesor e ka të nënshkrimi i projektit për autostradën Prishtinë-Gjilan të cilin e kishte nënshkruar Zharku bashkë me dy ministra tjerë të Qeverisë së kaluar. Ka thënë se të njëjtin projekt do t’i çojë në rivlerësim për shkak të dyshimeve se nuk janë respektuar procedurat.
“Fillimisht me lejoni të shpjegojë se nuk kam deklaruar për asnjë moment emra të përveçëm se kanë keqpërdorur me tendera”, ka thënë Lekaj, të shtunën, për Express.
“Kam thënë se nga ish ministri ka patur nënshkrime që të bëjnë me dyshu që nuk janë respektu procedurat dhe si të tilla ndoshta ka hapësirë për tu rivlerësuar ashtu siç kanë vepruar institucionet që nuk janë në kompetencë të Ministrisë së Infrastrukturës”, ka thënë më tej Lakaj.
Ndërkohë, Lutfi Zharku, ditë më parë, i ka kërkuar Lekaj të prezantojë faktet për çfarëdo dyshimi lidhur me punën e tij sa ishte në krye të Infrastrukturës. për Express se Ministri nuk jep nënshkrime dhe e ftoi publikisht Lekajn që t’i zbulojë dokumentet ku figuron ndonjë nënshkrim i tij.
Sidoqoftë, Pal Lekaj kishte deklaruar se Lutfi Zharku kishte nënshkruar në gjysmë të natës projektin për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan. Kishte thënë se i njëjti projekt ishte nënshkruar në orën 23.
Lekaj të shtunën ka thënë se ka edhe projekte tjera shkel e shko të Qeverisë së kaluar. Ka thënë se realizimi i tyre nuk do të bazohet në diskriminime rajonale.
“Të tilla projekte vetëm shkel e shko ka mjaftë. Ne duhet të shohim mundësinë e përfundimit të atyre që tashmë ka vite që kanë filluar dhe pastaj të nisim investime të reja. Por gjithsesi që nuk do të ndodhë diskriminim për asnjë regjion të Kosovës”, sqaroi ai.
Kjo përplasje në mes të ministrit dhe ish ministrit, filloi kryesisht për autostradën Prishtinë – Gjilan, projekt ky që së fundmi u largua nga buxheti i Kosovës, nën arsyetimin se i njëjti do të vazhdojë në vitin 2018, ani pse ishte paraparë që të niste këtë vit.
Etiketa: Aktuale, Pal Lekaj