E shtunë, 16 Maj 2026

Promovohet në Sarajevë “Jugosllavia dhe Kosova” i Azem Vllasit
Libri “Jugosllavia dhe Kosova” nga Azem Vllasi, i cili flet për marrëdhënien midis Kosovës dhe shtetit jugosllav, me theks të veçantë në ngjarjet që çuan në rënien e tij, u promovua së fundi në Sarajevë, pikërisht në qytetin ku ish-federata e Titos me kryeqytet Beogradin u shkërmoq nën një lum gjaku.
Azem Vllasi, tashmë avokat, ish-zyrtar i lartë politik i Jugosllavisën ë fundin e viteve ‘80, theksoi se ky është një lloj vazhdimi i librit të tij të mëparshëm “Kosova – fillimi i rënies”, por edhe një pasqyrë më e gjerë e pozicionit të Kosovës përmes periudhave të ndryshme historike.
“Ky libër është një dëshmi se si të tjerët në Jugosllavi, si në Mbretëri ashtu edhe në atë pas vitit 1945, e trajtuan Kosovën si një çështje serbe, sikur të mos u përkiste të tjerëve. Ne ishim këmbëngulës në të gjitha rrethanat për të arritur një nivel barazie, të cilin e arritëm vetëm deri diku me Kushtetutën e vitit 1974, megjithëse kjo i shqetësoi ata në Serbi që gjithmonë e shihnin Kosovën si çështje të tyre”, tha Vllasi.
Në libër, autori gjithashtu ofron dëshmi personale për vitet e fundit të Jugosllavisë dhe analizon se si vendimet politike (veçanërisht heqja e autonomisë së Kosovës në vitin 1989) çuan në konflikt dhe në shembjen e ish-shtetit federativ me pesë republika.
“Shkaku i menjëhershëm për fillimin e shembjes së Jugosllavisë ishte kur politika e Millosheviçit filloi me forcë kundër Kosovës dhe shqiptarëve, të tjerët kthyen kokën, por në të njëjtën kohë kuptuan se nuk mund të jetonin në një shtet të përbashkët me një Serbi të tillë”, shtoi Vllasi. /tesheshi
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
