Rama vizitë në Estoni: Presim me padurim të kalojmë në fazën e mbylljes së kapitujve të negociatave


E premte, 15 Maj 2026
Rama vizitë në Estoni: Presim me padurim të kalojmë në fazën e mbylljes së kapitujve të negociatave

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se presin me padurim të kalojnë në fazën tjetër të procesit të negociatave me Bashkimin Evropian (BE) dhe sipas tij të vazhdojnë me mbylljen e kapitujve të negociatave, transmeton Anadolu.

Rama po zhvillon sot një vizitë pune në Estoni, me rastin e pjesëmarrjes në Konferencën “Lennart Meri 2026”, ndërkohë është takuar me kryeministrin estonez, Kristen Michal.

Në një deklaratë të përbashkët me homologun e tij të Estonisë, duke folur për procesin e integrimit evropian dhe negociatave, Rama tha se presin me padurim të “kalojnë në fazën tjetër shumë shpejt dhe të vazhdojnë duke nisur mbylljen e kapitujve të negociatave”.

Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në BE që nga viti 2014 dhe synon të përfundojë negociatat deri në vitin 2027, ndërsa synon anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.

Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria dhe Estonia janë dy kombe që më së fundi jetojnë me dëshirën për të kapur të ardhmen, duke shtuar se “Jemi tejet të vendosur të mbrojmë atë çfarë kemi dhe kjo, jo vetëm na bën kombe me të njëjtën mendësi, por na bën edhe aleatë e miq të natyrshëm”.

“Është afërmendsh që ne duam të sigurohemi që edhe rrugëtimi ynë drejt 2030, të shtrohet me të njëjtin novacion që e ka bërë Estoninë një markë globale. Edhe ne, kemi shumicën, 95 për qind të shërbimeve tona online dhe synojmë tashmë të ecim përpara me AI. Ju përmendet ministren e Inteligjencës Artificiale. Jemi mëse të lumtur që t’u prezantojmë. Nga ana tjetër me të drejtë përmendët që Estonia dhe Shqipëria janë shumë të bashkuara, jo vetëm nga NATO-ja, por edhe nga një refuzim i palëkundur për të mos lënë fuqitë e huaja që të minojnë mënyrën tonë demokratike të jetesës”, u shpreh Rama.

Rama shtoi se duan të shohim novatorët teknologjikë estonezë që “të hedhin sytë nga teknologjia e informacionit e komunikimit dhe teknologjia në Shqipëri”.

– Michal: Estonia mbështet fort zgjerimin e Bashkimit Evropian
Kryeministri estonez, Kristen Michal deklaroi se Shqipëria është një aleate shumë e mirë në NATO.

“Ndërsa i afrohemi samitit të Ankarasë, Evropa duhet marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj. Objektivat e Rusisë nuk kanë ndryshuar, e shohim çdo ditë në sulmet kundër popullit Ukrainës e qyteteve të Ukrainës, por Rusia nuk është e pamundur të mposhtet së bashku, ne vazhdojmë të punojmë për një paqe të drejtë e që zgjat në Ukrainë. Ukraina i përket familjes evropiane e kështu është edhe për Shqipërinë”, tha ai.

Duke theksuar se Estonia mbështet fort zgjerimin e Bashkimit Evropian, Michal theksoi se e kanë mbështetur Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë. “Vazhdoni të ecni përpara me reforma për të ardhmen e vendit dhe popullit tuaj, në qoftë se Shqipëria përmbush angazhimet e saj, atëherë edhe Bashkimi Evropian do të bëjë të njëjtën gjë”, tha ai.

“Pres me padurim të thellojmë bashkëpunimin për çështjet digjitale dhe inteligjencën artificiale. Shqipëria ka një ministre për inteligjencën artificiale, Estonia qartësisht duhet të ecë që t’iu kap aty”, theksoi Michal.

Sipas Kryeministrisë së Shqipërisë, Konferenca “Lennart Meri 2026”, është një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare të debatit mbi politikën e jashtme, sigurinë dhe sfidat gjeopolitike globale, e organizuar këtë vit nën moton “Fati i favorizon të guximshmit”.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit