Liga Arabe dënon bastisjen e Ben Gvirit në Al-Aksa


E shtunë, 16 Maj 2026
Liga Arabe dënon bastisjen e Ben Gvirit në Al-Aksa

Këshilli i Ligës Arabe në nivel ministror ka dënuar ashpër hyrjen e ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, në kompleksin e xhamisë Al-Aksa nën mbrojtje të madhe policore, gjatë përvjetorit të 78-të të Nakbës palestineze.

Në një deklaratë zyrtare, Këshilli dënoi atë që e quajti provokim dhe shkelje sistematike në Jerusalemin Lindor të pushtuar, përfshirë mbylljen e Qytetit të Vjetër, kufizimet ndaj besimtarëve për të hyrë në Al-Aksa dhe lejimin e ashtuquajturës “Marshi i Flamurit”.

Liga Arabe theksoi se këto masa janë pjesë e një politike të qëllimshme izraelite për judaizimin e Jerusalemit, ndryshimin e identitetit dhe karakterit historik, kulturor e demografik të qytetit.

Në deklaratë u ritheksua se shteti palestinez ka sovranitet të plotë juridik mbi Jerusalemin Lindor të pushtuar dhe se Izraeli nuk ka autoritet legjitim mbi qytetin apo vendet e shenjta islame dhe të krishtera.

Këshilli nënvizoi se të gjitha masat e njëanshme të Izraelit konsiderohen të pavlefshme sipas së drejtës ndërkombëtare dhe nuk kanë efekt juridik, duke iu referuar edhe opinionit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Po ashtu, Liga Arabe deklaroi se i gjithë kompleksi i Al-Aksas, me sipërfaqe prej 144 dunumësh, është vend ekskluziv adhurimi për myslimanët dhe se administrimi i tij i takon vetëm Vakëfit të Jerusalemit dhe Departamentit të Çështjeve të Al-Aksas nën administrimin jordanez.

Vizita e Ben Gvirit në Al-Aksa, gjatë së cilës ai ngriti flamurin izraelit dhe bëri gjeste provokuese nën eskortë të madhe policore, ndodhi në kohën e rritjes së hyrjeve të kolonëve izraelitë në këtë vend të shenjtë për myslimanët. /mesazhi


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit