E martë, 22 Dhjetor 2020
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), pas rënies së Qeverisë Hoti ka thënë se kuotat më të mira këtë vit i ka Lëvizja Vetëvendosje me 50 për qind.
Miftaraj përmes një postimi në Facebook ka thënë se VV-ja do të pasohet më partitë e tjera politike.
“Kush të vendos me qenë subjekt i transfereve politike luani mençur. Zakonisht ata që vendosin në ditën e fundit të afatit kalimtar fitojnë më shumë. Afati pritet të fillojë nesër dhe do jetë I hapur për 30 ditë. Kuotat më të mira këtë vit i ka VV me 50% pasuar nga partitë tjera politike. Urime dhe suksese kandidat potencial!”, ka shkruar Miftaraj.
Ai dje ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ua pamundëson Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Donika Kadaj-Bujupit, Faton Topallit e shumë të tjerëve që ishin dënuar për vepra penale dhe me kusht, të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme.
Të hënën në mbrëmje, Gjykata Kushtetuese mori shpalli aktgjykimin për rrëzimin e Qeverisë Hoti dhe shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme, duke konstatuar se përbërja e kabinetit qeveritar s’i kishte marrë votat e nevojshme, pasi që ky organ e cilësoi si të pavlefshme votën e ish-deputetit të dënuar me burgim, Etem Arifi.
“Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet ndër tjerash në konstatimet e Gjykatës Kushtetuese. /Express/
Etiketa: LVV, VV, Zgjedhjet