E martë, 2 Qershor 2026

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan do të zhvillojë vizitë zyrtare në Indonezi të mërkurën për të diskutuar për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh, rritjen e lidhjeve tregtare dhe të mbrojtjes dhe adresimin e sfidave rajonale dhe globale të sigurisë, thanë sot burime të Ministrisë së Jashtme turke, transmeton Anadolu.
Fidan pritet të diskutojë hapat për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në sektorë të ndryshëm në përputhje me vullnetin politik të treguar nga liderët e të dy vendeve.
Ai pritet të theksojë rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në infrastrukturë, energji, transport, dixhitalizim, inteligjencë artificiale, teknologji të lartë dhe industrinë ushqimore hallall për të ndihmuar në rritjen e vëllimit të tregtisë dypalëshe në 10 miliardë dollarë. Fidan do të shqyrtojë projektet e vazhdueshme të industrisë së mbrojtjes dhe do të vlerësojë fushat e reja të mundshme të bashkëpunimit.
Sa i përket Gazës, Fidan do të përsërisë se Turqia dhe Indonezia mbeten në konsultime të ngushta për zhvillimet në Palestinë dhe do të vazhdojnë përpjekjet e përbashkëta për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.
Sipas burimeve, ai do të theksojë nevojën për një veprim të koordinuar ndërkombëtar në përgjigje të shkeljeve të armëpushimit nga ana e Izraelit në Gaza, veprimeve provokuese në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor si dhe zgjerimin e okupimit të tij në Liban.
Bisedimet parashikohen të mbulojnë zhvillimet që përfshijnë Iranin dhe Ngushticën e Hormuzit, Sirinë, luftën Rusi-Ukrainë, Somalinë, Sudanin dhe Libinë si dhe çështje më të gjera rajonale dhe globale të sigurisë në rajonin Azi-Paqësor.
Fidan dhe zyrtarët indonezianë do të diskutojnë për bashkëpunimin brenda platformave shumëpalëshe, duke përfshirë OKB-në, G20, Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OIC), ASEAN, MIKTA dhe Tetë Vendet në Zhvillim (D-8).
Ministri i Jashtëm turk e vizitoi për herë të fundit Indonezinë në shkurt 2025, si pjesë e vizitës zyrtare të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në vend.
Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Indonezisë, lidhjet historike të të cilave datojnë në shekullin e 15-të, u ngritën në partneritet strategjik në vitin 2011. Një Këshill i Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit Strategjik i krijuar gjatë vizitës së Erdoganit në Indonezi në vitin 2022, mbajti takimin e tij të parë në Xhakartë në shkurt 2025. Takimi i radhës pritet të zhvillohet në Turqi në vitin 2027.
Të dy vendet mbajtën takimin e tyre të parë 2+2 të Ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes në Ankara në janar 2026. Vëllimi i tregtisë dypalëshe tejkaloi 2.5 miliardë dollarë në vitin 2025 dhe të dy vendet synojnë ta rrisin atë në 10 miliardë dollarë në përputhje me objektivin e shpallur gjatë vizitës së Erdoganit në Indonezi në vitin 2025.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
