Mustafa: Po ndodh rikthimi i madh në LDK


E hënë, 21 Tetor 2013

Han i Elezit, 21 tetor – Gjatë tubimit me elektoratin në Han të Elezit, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se aktualisht në Kosovë po ndodh kthimi i madh i qytetarëve në LDK dhe në veprën e presidentit Ibrahim Rugova.

“Në Han të Elezit ne kemi potencial për t’i fituar zgjedhjet dhe jo vetëm në këtë komunë, por edhe në shumicën e komunave të Kosovës, sepse po ndodh rikthimi i madh në Lidhjen Demokratike, po ndodh rikthim i madh i nevojës që ne ta ngjallim veprën e Ibrahim Rugovës dhe tri postulatet e tij: lirinë, pavarësinë dhe demokracinë, të cilat do t’i ndërtojmë ashtu siç duhet”, ka thënë kryetari i LDK-së.

Ai ka potencuar se LDK-ja do të ndërtojë një liri të mirëfilltë për çdo qytetarë, në të cilën çdo qytetar do ta ketë lirinë e fjalës, lirinë e veprimit, do ta kenë lirinë e punës dhe shteti i tillë do të ketë një liri të plotë.

“Do ta forcojmë pavarësinë, në mënyrë që ajo të ketë kuptimin e vet, në të cilën ne do të arrijmë që ta shtrijmë autoritetin e këtij vendi në tërë territorin e tij dhe që ne të bëhemi zot të vërtetë të Kosovës. Do ta ndërtojmë demokracinë, në mënyrë që në këtë shtet të ketë ligj, në këtë shtet të sundojë ligji, në këtë shtet njerëzit duhet të përgjigjen për punën e tyre publike që e bëjnë, duhet të përgjigjen për votën që e marrin nga qytetarët dhe t’ju japin përgjegjësi qytetarëve për punën e tyre”, tha Mustafa.

Ai u ka thënë qytetarëve në Han të Elezit se LDK-ja e ka njeriun që do të punojë për këto tri qëllime themelore tonat, të përcaktuara nga Presidenti Rugova.

“E kemi kandidatin Zylbehar Hasallari, i cili angazhohet që në Han të Elezit të kemi punë, e kemi njeriun, i cili do të punojë që në këtë komunë të mos ketë varfëri, që ne ngadalë t’i mbyllim dyert e varfërisë dhe ta zhvillojmë edhe këtë komunë edhe komunat tjera. Kemi njeriun i cili do ta respektojë paranë publike dhe buxhetin e komunës, do të bashkëbisedojë me ju se ku do t’i investojë këto para, e jo të sillet si me qenë paratë e tija private”, ka shtuar Mustafa.

Zylbehar Hasallari, kandidat i LDK-së për kryetar të Hanit të Elezit, ka thënë se Dega e LDK-së në Han të Elezit po hyn në këtë fushatë zgjedhore me qëllimin më fisnik, më të pastër, të cilët me besimin më të plotë të qytetarëve të kësaj komune, kësaj radhe do ta korrin fitoren së bashku.

Ai ka shtuar se LDK-ja ka nxjerrë plan për zhvillim të ekonomisë lokale, për zhvillim infrastrukture, arsim, shëndetësi, mirëqenie sociale etj.

Etiketa: , ,
Të fundit