Tronditëse: Incizohet me dron, a qëndron mafia shqiptare prapa vrasjes në Sydney? (VIDEO)


E enjte, 16 Korrik 2026
Tronditëse: Incizohet me dron, a qëndron mafia shqiptare prapa vrasjes në Sydney? (VIDEO)

Pas një ekzekutimi mafioz në Sidnej, autorët jo vetëm që realizuan atentatin, por e filmuan të gjithë skenën me një dron dhe më pas publikuan pamjet në rrjetet sociale, duke sfiduar hapur autoritetet. Në mesazhin shoqërues të videos përmendej edhe “mafia shqiptare”, ndërsa policia e konsideron këtë një zhvillim shqetësues që tregon një ndryshim të rrezikshëm në mënyrën se si veprojnë grupet kriminale.

Viktima është identifikuar si Jack Cheung, 35 vjeç, i cili u qëllua për vdekje jashtë banesës së tij në Carlingford, në veriperëndim të Sidnejt, të mërkurën në mëngjes.

Sipas policisë, Cheung u vra pranë hyrjes së shtëpisë së tij në North Rocks Road rreth orës 05:30. Trupi i tij u zbulua vetëm 90 minuta më vonë, kur hidraulikët mbërritën për të kryer punime në banesë.

Pak orë pas ngjarjes, detektivët e Policisë së New South Wales (NSW) u bënë thirrje qytetarëve të dorëzonin pamje nga kamerat e sigurisë (CCTV) dhe kamerat e automjeteve (dashcam), për të ndihmuar në identifikimin e autorit.

Por përgjigjja erdhi nga vetë vrasësit. Gjatë natës, në një platformë të rrjeteve sociale u publikuan pamje ajrore të filmuara me dron, ku shihej autori duke iu afruar Cheung-ut dhe duke e qëlluar për vdekje jashtë shtëpisë së tij.

Videoja shoqërohej me një mesazh provokues:

“Përshëndetje, kjo është mafia shqiptare; kemi pamje të ekzekutimit të zotit Cheung nga bandat sot në Carlingford.”

Zëvendëskomisioneri i Policisë së NSW-së, Scott Cook, e cilësoi ngjarjen si një precedent të rrezikshëm.

“Është shqetësuese. Kjo është një epokë e re në krimin e organizuar,” deklaroi ai.

Edhe shefi i Policisë së NSW-së, Mal Lanyon, shprehu shqetësimin se publikimi i videove të ekzekutimeve në rrjetet sociale mund të frymëzojë akte të ngjashme nga grupe të tjera kriminale.

Megjithatë, ai theksoi se këto pamje mund të shërbejnë edhe si prova të vlefshme për hetuesit.

“Ndonjëherë materialet që publikohen në internet na ndihmojnë edhe në hetimet tona,” tha Lanyon.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se në automjetin e Cheung-ut ishte instaluar një pajisje gjurmimi GPS përpara atentatit, duke forcuar dyshimet se ai ishte monitoruar për një periudhë kohe.

Cheung jetonte me nënën e tij, e cila në momentin e ngjarjes ndodhej në Tajlandë dhe u kthye me urgjencë në Australi sapo mori lajmin për vrasjen e të birit.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se autori mbërriti në vendngjarje me një SUV rreth orës 05:31 dhe u largua pas vetëm tre minutash. Megjithatë, hetuesit vijojnë të përcaktojnë me saktësi momentin kur 35-vjeçari u qëllua.

Policia po kërkon autorin dhe automjetin e përdorur në atentat.

Sipas 7NEWS, vëllai i viktimës është anëtar i “Coconut Cartel”, një prej grupeve kriminale më të njohura në Sidnej. Për këtë arsye, detektivët po hetojnë nëse ekzekutimi lidhet me konfliktet mes bandave.

“Nuk e përjashtojmë këtë pistë, por në këtë fazë nuk mund ta konfirmojmë,” deklaroi zëvendëssuperintendenti i Policisë së NSW-së, Michael Marinello.

Autoritetet konfirmuan gjithashtu se Cheung ishte i njohur për policinë. Muajin e kaluar ai ishte paraqitur para gjykatës pasi ishte kapur në posedim të një arme pa leje.

Në lagje, ai njihej si një apasionuar pas makinave dhe merrte pjesë rregullisht në gara në Eastern Creek. Hyundai i tij, për të cilin kujdesej vazhdimisht, është tashmë një element i rëndësishëm i hetimit.

“Ishte shumë i sjellshëm dhe nuk krijonte probleme. Gjithmonë merrej me makinën e tij,” thanë fqinjët Isabella dhe Jeanette.

Banorët e zonës treguan se kishin dëgjuar të shtëna me armë rreth dy orë përpara se të zbulohej trupi.

Marinello tha se nga provat rezulton se ndaj viktimës janë qëlluar disa plumba.

“Duket se kemi të bëjmë me një sulm të organizuar dhe shumë të guximshëm. Nuk besojmë se ishte një sulm i rastësishëm. Mendojmë se bëhet fjalë për një incident të izoluar dhe nuk ka një kërcënim të vazhdueshëm për publikun,” u shpreh ai.

Sipas policisë, në banesë ndodheshin edhe persona të tjerë në momentin e atentatit dhe ata po bashkëpunojnë me hetuesit. Autoritetet vijojnë marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe analizimin e pamjeve të kamerave të sigurisë për të identifikuar autorin dhe motivin e vrasjes.


Burimi: klankosova

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit