Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Në policinë e Maqedonisë duhet të vazhdojnë reformat e thella

Prizren Post | 01:46 - 09.05.2017

Shkup – Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Maqedonisë, Agim Nuhiu, në ceremoninë e shënimit të Ditës së Policisë së Maqedonisë deklaroi se “reformat e thella në institucionin e policisë duhet të vazhdojnë për të patur prosperitet dhe progres si dhe për të kultivuar vlerat dhe standardet thelbësore të një policie profesionale, dinjitoze dhe të respektuar”, raporton Anadolu Agency.

Ministri Nuhiu në adresimin e tij para përfaqësuesve të policisë së shtetit dhe mysafirëve theksoi se policia duhet të garantojë një mjedis të sigurtë për të gjithë qytetarët. Ai shtoi se të gjithë bashkarisht sa më parë duhet të angazhohen që i tërë efektivi i policisë të vendoset në shërbim të shtetit dhe shoqërisë.

“Siguria shtetërore dhe ajo publike kërkon vetëm dhe vetëm profesionalizëm. Të gjthë, bashkarisht, në asnjë moment nuk duhet të ndalojmë, por të angazhohemi për të shkuar më tej. Të gjithë, bashkë, të angazhohemi për të vendosur një themel, një transparencë, që për ne do të shtrihet hap pas hapi, në çdo aspekt të ndërtimit të marrëdhënieve të policisë së shtetit me qytetarët, me komunitetet dhe me publikun e gjerë”, deklaroi Nuhiu.

Nuhiu në fund të adresimit të tij theksoi se “Do të përulem para simbolit të këtij institucioni shtetëror me bindje të thellë dhe përkushtim për të sjellë sa më shpejtë dhe sa më qartë angazhimin e këtij institucioni të përbashkët në parametrat që janë të njohur ndërkombëtarisht të veprimtarisë së policisë në kushtet e një shoqërie demokratike”.

Në nder të veprave të pjesëtarëve të policisë të cilët sakrifikuan jetën e tyre në mbrojtje të vlerave shtetërore dhe institucionale, delegacione të udhëhequra nga ministri Nuhiu vendosën lule në monumentin që ndodhet në oborrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.


Etiketa:
Arivisti Company