E hënë, 25 Maj 2026

Kryeministri Izraelit Benjamin Netanyahu, i ka thënë presidentit amerikan Donald Trump se Izraeli do të ruajë lirinë e veprimit kundër kërcënimeve në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, gjatë një bisede telefonike të zhvilluar të shtunën.
Sipas një burimi politik izraelit, Trump ka riafirmuar mbështetjen për këtë qëndrim gjatë diskutimeve mbi një marrëveshje të mundshme ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Trump deklaroi se Uashingtoni dhe Irani kanë negociuar në masë të madhe një memorandum mirëkuptimi për një marrëveshje paqeje, e cila do të mundësonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë detare strategjike për tregtinë globale.
Ndërkohë, agjencia iraniane Fars raportoi se draft-marrëveshja parashikon që SHBA-ja dhe aleatët e saj të mos sulmojnë Iranin apo aleatët e tij, ndërsa Teherani zotohet të mos kryejë sulme parandaluese ndaj tyre.
Burimi izraelit tha se SHBA-ja po e informon vazhdimisht Izraelin për ecurinë e negociatave me Iranin. Sipas tij, Trump ka këmbëngulur që çdo marrëveshje përfundimtare duhet të përfshijë çmontimin e programit bërthamor iranian dhe largimin e të gjithë uraniumit të pasuruar nga territori iranian.
Ndërkohë, politikani izraelit Benny Gantz deklaroi se do të ishte gabim strategjik që Izraeli të pranonte një armëpushim në Liban si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë me Iranin.
Pas bisedës telefonike me Netanyahun, Trump shkroi në rrjetet sociale se telefonata kishte shkuar “shumë mirë”. /mesazhi
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
