Nga Vehap Kola: Protesta dhe pika e parikthyeshmërisë


E diel, 9 Gusht 2026
Nga Vehap Kola: Protesta dhe pika e parikthyeshmërisë

Çdo protestë lind nga diçka rudimentare, nga një zemërim, nga një padrejtësi që bëhet e padurueshme, nga një turp publik që nuk mund të përtypet më privatisht, nga një “boll më” që del prej gojës së shumë njerëzve në të njëjtën kohë. Në fillim nuk ka program, nuk ka strukturë, nuk ka gjuhë të plotë, por ka trupin, praninë, zërin, refuzimin, edhe bulevardin që mbushet sepse brenda njerëzve është mbushur më parë kupa e durimit.

Kjo është forma e parë e protestës ose forma e saj rudimentare.

Dhe nuk ka asgjë të keqe këtu. Përkundrazi, aty qëndron edhe pastërtia e saj fillestare. Protesta nuk nis si institucion apo si traktat politik, as si program qeverisës. Nis si ndërprerje e normalitetit në momentin kur qytetarët, edhe pa pasur ende përgjigjen e plotë, e dinë se nuk mund të jetojnë më brenda së njëjtës gënjeshtër.

Por pikërisht këtu fillon rreziku sepse ajo që e krijon protestën nuk mjafton për ta mbajtur gjallë atë. Zemërimi e ndez protestën, por nuk e organizon dot, turma e bën të dukshme, pa mundur t’i japë drejtim, thirrja e bashkon për një moment, por nuk ia del ta kthejë në forcë të qëndrueshme. Spontaniteti e shpëton atë nga kontrolli fillestar, por nëse mbetet e vetmja taktikë, e lë protestën të pambrojtur ndaj kapjes, lodhjes, provokimit dhe harresës.

Prandaj protesta ka nevojë për një pikë parikthyeshmërie.

Ky është momenti kur ajo nuk mund të kthehet më në format prej nga lindi, në marshim, në pankartë, në status Facebook-u, në video virale. Nuk rrezikon të kthehet në turmën e mbrëmjes që shpërndahet në fund të mbrëmjes apo vetëm në zemërimin që ndizet e shuhet sipas ritmit të lajmit të radhës.

Nëse protesta rikthehet aty, ajo bëhet ritual dhe rituali është forma më e përshtatshme për t’u duruar nga pushteti. Pushteti mësohet me marshimin, me thirrjet, me pankartat, edhe me sharjet. Edi Rama dhe establishmenti 35-vjeçar kanë dhënë prova se mësohen shpejt me zhurmën e përditshme për aq kohë sa zhurma nuk prodhon formë, nuk prodhon drejtim, nuk prodhon organizim, nuk prodhon kujtesë, dhe nuk prodhon kosto reale për ta.

Pushteti nuk ka frikë nga protesta që përsërit veten. Frika lebetitëse e pushtetit buron nga protesta që nuk kthehet më pas.

Nuk është e thënë që protesta të zgjasë me orë, ditë javë apo muaj. Mjafton që ajo të ndryshojë natyrë dhe të kalojë nga prania në vetëdije, nga vetëdija në disiplinë, nga disiplina në strukturë, nga struktura në lëvizje, nga lëvizja në rend të ri kërkesash, normash dhe përgjegjësish publike.

Parikthyeshmëria nuk do të thotë që protesta të mos mbarojë kurrë fizikisht. Asnjë shesh nuk mund të qëndrojë i mbushur përgjithmonë. Njerëzit kanë punë, familje, lodhje, frikë, pasiguri, jetë të zakonshme. Më shumë se sa çështje e qëndrimit të përhershëm në rrugë, parikthyeshmëria shtë çështje qëndrimi të përhershëm në një vetëdije të emancipuar.

Protesta bëhet e parikthyeshme atëherë kur qytetari që doli në shesh nuk kthehet më në qytetarin që ishte para saj, kur ai nuk e sheh më veten si spektator të pushtetit, nuk e pranon më se vendi është pronë e qeverisë, nuk bindet më se territori mund të ndahet e falet si pa gjë, nuk pranon më se vendimet e mëdha merren larg tij dhe pa të dhe pastaj i shiten si zhvillim, nuk e sheh më politikën si punë të atyre që janë sipër, por si përgjegjësi të atyre që jetojnë pasojat e vendimeve të kësilloj politike.

Ky është ndryshimi i parë: protesta duhet të prodhojë një qytetar të parikthyeshëm.

Por as kjo nuk mjafton sepse qytetari i tillë, nëse mbetet vetëm, i kthehet përsëri pafuqisë së vjetër. Për këtë arsye protesta duhet të prodhojë edhe forma të parikthyeshme.

Forma rudimentare e protestës është grumbullimi që i thotë qytetarit pjesëmarrës: jemi shumë. Forma më e lartë është organizimi që na thotë: dimë çfarë duam, dimë si të veprojmë, dimë si të mbrohemi dhe dimë si të vazhdojmë.

Një protestë që nuk ndërton formën mbetet e varur nga emocioni, i cili saherë bie, bie edhe protesta. Bashkë me turmën, lodhet edhe kauza, bie vëmendja dhe mpaket presioni. Kjo është arsyeja pse shumë protesta dështojnë jo se nuk kanë kauzë të drejtë, por sepse mbeten në nivelin e materialit të parë prej të cilit lindën.

Materiali i parë është zemërimi, refuzimi, turma, thirrjet dhe prezenca. Produkti politik i protestës duhet të jetë organizimi, kërkesa, bashkësia qytetare, gjuha e re publike dhe fuqia.

Pa këtë kalim, protesta nuk humbet menjëherë por degradohet ngadalë e thehet në kalendar, në zakon dhe në performancë. Kthehet në një vend ku njerëzit vijnë për të parë njëri-tjetrin, për të dëgjuar të njëjtat fjali, për të bërë të njëjtat video, për të ndjerë për pak orë se diçka po ndodh, ndërkohë që sistemi mëson si ta presë, si ta përçajë, si ta provokojë, si ta lodhë dhe si të mbijetojë prej saj.

Prandaj pyetja themelore nuk është vetëm: sa njerëz dolën sot por çfarë nuk kthehet më mbrapsht pas ditës së sotme? A u krijua një lidhje e re mes qytetarëve? A u formulua një kërkesë më qartë? A u zbulua një mekanizëm i ri i pushtetit? A u rrit aftësia për t’u vetëmbrojtur nga provokimi? A u zgjerua fronti? A u dokumentua padrejtësia? A u krijua një kujtesë? A u shtua një hallkë organizimi? A u bë më e vështirë për pushtetin të vazhdojë si më parë? Nëse përgjigjja është jo, protesta ka bërë zhurmë, por nuk ka krijuar parikthyeshmëri.

Pika e parikthyeshmërisë arrihet kur protesta resht së maturi veten me pjesëmarrjen e mbrëmjes dhe nis e matet me gjurmën që lë në ditën tjetër, kur nuk varet vetëm nga prania fizike, por nga infrastruktura morale dhe qytetare që ndërton pas vetes dhe kur nuk ngre vetëm pyetjen “ku po mblidhemi?”, por edhe “çfarë po ndërtojmë?”.

Kjo kërkon daljen nga disa forma rudimentare.

Së pari, protesta duhet të dalë nga forma e zemërimit të papërpunuar. Zemërimi është i domosdoshëm, por nëse mbetet vetëm zemërim, bëhet i lehtë për t’u manipuluar. Pushteti di ta përdorë zemërimin duke e provokuar dhe shtyrë drejt gabimit, e fotografon në çastin më të keq, pastaj e paraqet si kërcënim. Zemërimi nuk ka pse të kthehet në zbutje dhe pajtim, por duhet të kthehet në qartësi, sepse zemërimi i qartë është më i rrezikshëm për pushtetin se zemërimi i verbër.

Së dyti, protesta duhet të dalë nga forma e turmës. Turma është e fuqishme si pamje, por e brishtë si subjekt sepse shpërndahet dhe ndjek ritmin e momentit. Bashkësia qëndron dhe krijon kujtesë, besim dhe përgjegjësi. Protesta duhet të bëjë kalimin nga njerëz pranë njëri-tjetrit në njerëz të lidhur me njëri-tjetrin.

Së treti, protesta duhet të dalë nga forma e mikrofonit. Mikrofoni është i nevojshëm, por është edhe i rrezikshëm sepse mund ta bashkojë turmën, por mund edhe ta zëvendësojë atë, mund t’i japë zë, por mund edhe të krijojë pronarë të zërit. Një protestë e parikthyeshme nuk mund të varet nga kush e mban mikrofonin por duhet të prodhojë shumë zëra, shumë pika mendimi, shumë forma shprehjeje, pa humbur drejtimin e përbashkët.

Së katërti, protesta duhet të dalë nga forma e episodit. Nuk mjafton thjesht e vetëm të ndodhë. Protesta duhet të vazhdojë në mënyra të tjera. Në dokumentim, në hetim qytetar, në takime lagjesh, në platforma publike, në grupe pune, në propozime ligjore, në mbikëqyrje mbi institucionet, në kujtesë kolektive. Protesta që nuk vazhdon jashtë sheshit është e dënuar të kthehet gjithmonë në shesh nga e para, sikur nuk ka mësuar asgjë nga e djeshmja.

Së pesti, protesta duhet të dalë nga forma e thjeshtë e kundërshtimit. Të jesh “anti” është fillimi por ky pozicion fillestar duhet të hapë rrugën për një “pro” më të vështirë. Nuk mund të jemi thjesht kundër grabitjes, korrupsionit dhe establishmentit, por për territorin si trashëgimi publike, për institucionet që japin llogari dhe për qytetarin si burim sovraniteti. Përndryshe, rrezikojmë të dukemi si vetëm kundër një afere, por jo kundër logjikës që e trajton Shqipërinë si mall pa zot.

Momenti kur protesta e bën të pamundur kthimin në naivitetin e mëparshëm është pika ku protesta fillon të bëhet e ardhme. Njerëzit nuk pranojnë më t’i shohin aferat si raste të veçuara, por si simptoma të një sistemi, nuk mjaftohen më me indinjatë, por kërkojnë mekanizëm. Në këtë fazë, nuk protestohet vetëm në bulevard, por protesta futet në gjuhën e përditshme, në shkollë, në universitet, në media, në administratë, në lagje, në diasporë dhe në familje.

Pushteti dëshiron që protesta të mbetet rudimentare, që ajo të jetë vetëm nerv, vetëm zhurmë, marshim dhe emocion. Sepse atëherë mund ta presë, ta lodhë, ta përçajë, ta quajë të papjekur, të manipuluar, të dhunshme, anti-zhvillim, anti-kombëtare, anti-çfarëdo që i duhet propagandës së tij.

Ajo që pushteti nuk duron dot është protesta që mëson nga gabimet e veta, që nuk bie dy herë në të njëjtin provokim, që nuk lejon askënd ta privatizojë, që nuk mbetet peng i momentit, por ndërton për afatgjatë.

Një protestë bëhet e parikthyeshme kur pas saj pushteti nuk ka më përballë të njëjtën shoqëri. Mund të mos ketë rënë ende qeveria, mund të mos jetë ndalur ende afera që na nxori në bulevard, mund të mos jetë fituar ende beteja, por diçka ka ndryshuar në raportin mes qytetarit dhe frikës, mes qytetarit dhe territorit, mes qytetarit dhe shtetit, mes qytetarit dhe vetes.

Kjo është arsyeja pse protesta nuk duhet të ketë frikë nga rritja e vet, nga organizimi, nga mendimi, nga struktura. Protesta duhet të ketë frikë vetëm nga një gjë: nga kthimi në formën e saj fillestare. Asnjë organizëm, biologjik ose shoqëror qoftë nuk mbijeton në formën e tij fillestare. Fëmija lind me një klithmë por nuk mund të mbijetojë dhe t’ia dalë duke klithur gjithë jetën. I duhet të mesojë të ecë, të flasë, të kujtojë, të mbrohet, të ndërtojë dhe të trashëgojë.

Në këtë kuptim, pas tri javëve protestë, detyra që del përpara nuk është thjesht të vazhdojmë protestën, por ta bëjmë të pamundur që ajo të kthehet në pikën zero, në zemërim pa formë, turmë pa kujtesë, në mikrofonin pa mandat, në marshimin pa drejtim apo në ritual pa pasoja. Të mos kthehet në protestë që nis gjithmonë nga e para, sepse nuk ia doli të ndërtojë atë që duhej të vinte pas saj.

Pika e parikthyeshmërisë është momenti kur protesta kupton se nuk ka ardhur vetëm për të kundërshtuar një padrejtësi, por për të mos lejuar më kushtet që e bëjnë atë padrejtësi të përsëritshme.

Nëse ia dalim, do të krenohemi që e shpëtuam protestën nga fati më i keq që mund të ketë: të jetë e drejtë, por të mos lërë asgjë pas.


Burimi: tesheshi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit