E premte, 23 Tetor 2026

Nga xhamitë e Kosovës u është bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Luginën e Preshevës, përkatësisht në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, që të votojnë për “Koalicionin Shqiptar” në zgjedhjet parlamentare të Serbisë të cilat mbahen këtë të diel, më 25 tetor, raporton Anadolu.
Në Xhaminë e Fakultetit të Studimeve Islame (FSI) në Prishtinë, imami në fund të hutbes u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që kanë të drejtën e votës në Serbi, ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre më 25 tetor dhe të votojnë për “Koalicionin Shqiptar”, i cili garon me numrin 17 në zgjedhjet parlamentare atje.
Imami vlerësoi se çdo votë për shqiptarët do të ndihmonte për të drejtat dhe prosperitetin e vet komunitetit shqiptar në Serbi.
Gjatë këtij muaji, përfaqësuesit e tetë subjekteve politike shqiptare të cilat u bashkuan në një listë të përbashkët, u pritën në Prishtinë edhe nga presidentja e vendit, Justina Shiroka Pula, si dhe nga kryeministri Albin Kurti.
Presidentja Shiroka Pula tha se rritja e përfaqësimit të shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë do të mundësonte që shkeljet sistematike të të drejtave të tyre nga ana e autoriteteve serbe të denoncohen më fuqishëm, ndërsa çështjet dhe kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës të marrin vëmendjen dhe përfaqësimin e duhur institucional.
Në legjislaturën e fundit të parlamentit serb, Shaip Kamberi ishte deputeti i vetëm shqiptar.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 202, në tre komunat me shumicë shqiptare në Serbi, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të njohura me një emër si Lugina e Preshevës, jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe në Serbi.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
