​Nis aksioni për grumbullimin e mbeturinave inerte në kryeqytet


E shtunë, 16 Maj 2026
​Nis aksioni për grumbullimin e mbeturinave inerte në kryeqytet

Ka nisur aksioni për grumbullimin e mbeturinave vëllimore në Kryeqytet. Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës në një konferencë për media tha se kjo po ndodh pas një periudhe të gjatë ndërprerje për shkak të procedurave që lidhen me deponinë qendrore.

Retkoceri tha se tashmë kanë përfunduar edhe procedurat ligjore për marrjen e lejes mjedisore komunale për vendosjen e qendrës tranzitore të mbeturinave vëllimore.

“Në një kohë të shpejtë po angazhohemi që mbeturina vëllimore të mos ketë në kryeqytet. Kemi mbi 72 lokacione që janë identifikuar, që kanë mbeturina vëllimore, dhe tani me kompanitë në një bashkëpunim të gjerë me kompanitë publike në komunën e Prishtinës po e zhvillojmë këtë aksion, gjithashtu edhe me operatorë që janë duke shërbyer për grumbullimin e mbeturinave të amvisërisë. Dhe në fazën tjetër në vazhdim, ju kërkojmë qytetarëve që të na mbështesin sa më shumë që të sigurojmë një ambient ku nuk do të ketë më mbeturina vëllimore.”, deklaroi Retkoceri.

Ai bëri të ditur se pesë ekipe emergjente janë angazhuar paralelisht në lagje të ndryshme të qytetit për largimin e mbeturinave.

“Në një kohë shumë të shpejtë po shpresoj që do ta përfundojmë grumbullimin e mbeturinave vëllimore. Pra nga këtu do të vazhdojmë te, përballë shkollës “Gjergj Fishta”, te parku i Tokbashqes për të larguar deponinë e parë, e cila është krijuar në një masë jashtëzakonisht të madhe. Por me bashkëpunim edhe me vullnet të madh të këtij ekipi do t’ia dalim që shumicën e pikave t’i përfundojmë sot dhe gjatë ditëve në vazhdim.”, tha ai.

Në lidhje me mënyrën se ku qytetarët do të mund t’i dërgojnë mbeturinat vëllimore, ai tha se pas finalizimit të lejes mjedisore, komuna do të dalë me njoftim zyrtar për pikën e dedikuar të grumbullimit.

“Mbas finalizimit të procedurës për leje mjedisore, ne do t’i heqim së pari me kompanitë publike dhe pastaj gjatë javës në vazhdim do të dalim me një njoftim zyrtar që qytetarët do ta kenë pikën e tyre ku mund t’i sjellin mbeturinat vëllimore. Krejt çka iu lutemi qytetarëve është që të mundohemi maksimalisht ta mbajmë qytetin të pastër dhe të drejtohen te Komuna e Prishtinës, te Drejtoria e Shërbimeve Publike, për të kërkuar ndihmë në lidhje me trajtimin e mbeturinave vëllimore”, deklaroi Retkoceri.

Ndërkaq me 16 mars për zgjidhjen e problemit të mbeturinave inerte, Komuna e Prishtinës kishte njoftuar se rrugës për në Zllatar ishte krijuar një pikë tranzitore e cila do të përdorej për hudhjen e mbeturinave vëllimore dhe inerte.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit