E hënë, 25 Maj 2026

Ndëshkimi i një “trimi” në Dhërmi nga Policia
Sapo kanë nisur të shfaqen të fortët e detit, tashmë që po troket sezoni turistik. Kryesish të hipur mbi skafe, ata bëjnë në ujë atë që bëjnë dhe në tokë: shfaqje garipllëku fshatar me pasoja të mundshme njerëzore. Më saktë, futen brenda perimetrit të sigurisë dhe rrezikojnë jetë pushuesish në det. Një i tillë u kap sot nga Policia në plazhin e Dhërmiut, duke ngrënë një gjobë të majme dhe duke iu sekuestruar mjeti lundrues.
Për këtë, ministri Lamallari shkroi:
“Për ‘trimat’ si ky në Dhërmi, që sfidojnë perimetrin e sigurisë në plazhe dhe rrezikojnë jetën e pushuesve, nuk do të ketë asnjë tolerim. Ta gëzosh gjobën 5 milionë lekë të vjetra dhe provoje përsëri të bësh aventura të tilla”.
Kujtojmë se pak vite më parë, në Himarë ndodhi një tragjedi e rëndë e kësaj natyre, ku një shef policie madje, në timonin e një skafi, i morri jetën një vajze të mitur, pikërisht nga fakti se zgjodhi të bëjë aventura mes plazhistësh në det. /tesheshi
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
