E martë, 26 Maj 2026

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, e ka informuar me telefon Sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio se forcat ruse kanë nisur sulme sistematike ndaj objektivave ushtarake të përdorura nga ushtria ukrainase në Kiev, transmeton Anadolu.
“Me udhëzimet e presidentit rus Vladimir Putin, Sergey Lavrov informoi zyrtarisht palën amerikane se, në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme të regjimit të Kievit kundër popullsisë civile dhe infrastrukturës në Rusi, forcat e armatosura të Federatës Ruse po fillojnë sulme sistematike dhe të vazhdueshme kundër objekteve ushtarake dhe qendrave përkatëse të vendimmarrjes në Kiev”, raportoi agjencia ruse e lajmeve Tass, duke cituar një deklaratë të Ministrisë së Jashtme.
Deklarata shtoi se Lavrov gjithashtu i ka kërkuar SHBA-së të sigurojë evakuimin e stafit të saj diplomatik dhe qytetarëve të tjerë amerikanë nga kryeqyteti ukrainas.
Lavrov ka thënë gjithashtu se gjatë bisedimeve të nivelit të lartë në Anchorage në gusht të vitit 2025 ishin arritur marrëveshje lidhur me “konfliktin ukrainas” dhe ka shprehur keqardhje që “përpjekjet arrogante të elitave evropiane dhe regjimit të Kievit po i minojnë këto marrëveshje, të cilat hapën rrugën për një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme të bazuar në balancën e interesave”.
“Kryediplomatët shkëmbyen mendime edhe për nismat diplomatike që synojnë tejkalimin e krizës në Ngushticën e Hormuzit dhe për situatën rreth Kubës”, njoftohet më tej.
Lavrov dhe Rubio kanë riafirmuar gjithashtu përkushtimin e tyre për përmirësimin e funksionimit të misioneve diplomatike ruse dhe amerikane në vendet e njëra-tjetrës, “pavarësisht dallimeve ekzistuese”, theksoi ministria.
SHBA-ja ende nuk ka lëshuar deklaratë lidhur me bisedën telefonike mes dy diplomatëve.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
