Spanja konfirmon rast të ri me hantavirus midis personave në karantinë në spitalin e Madridit


E martë, 26 Maj 2026
Spanja konfirmon rast të ri me hantavirus midis personave në karantinë në spitalin e Madridit

Spanja konfirmoi të hënën një rast të ri të hantavirusit mes personave që ndodheshin në karantinë parandaluese në një spital të Madridit, transmeton Anadolu.

“Rasti pozitiv është zbuluar gjatë kontrolleve periodike diagnostikuese të kryera te kontaktet që janë nën mbikëqyrje”, thuhet në një postim të Ministrisë së Shëndetësisë së vendit në platformën sociale amerikane X.

Rasti i përket një kontakti të afërt të identifikuar si pjesë e monitorimit epidemiologjik pas zbulimit fillestar të shpërthimit.

Ky është rasti i dytë pozitiv mes 14 shtetasve spanjollë të evakuuar në Tenerife nga anija luksoze MV Hondius. Anija kishte rreth 150 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi nga 23 vende.

Më 11 maj, ministrja e Shëndetësisë i Spanjës, Monica Garcia, njoftoi se një pasagjer spanjoll në bordin e anijes turistike MV Hondius kishte rezultuar pozitiv me hantavirus, menjëherë pasi autoritetet përfunduan operacionin e evakuimit të anijes.

Autoritetet thanë të hënën se personi kishte qenë tashmë nën mbikëqyrje klinike dhe izolim që nga pranimi në spital, “në përputhje me protokollet e vendosura nga Sistemi i Paralajmërimit të Hershëm dhe Reagimit të Shpejtë”.

Pas konfirmimit përmes testimit PCR, pacienti është transferuar në Njësinë e Izolimit të Nivelit të Lartë në spitalin “Gomez Ulla”, ku do të mbetet nën mbikëqyrje të specializuar mjekësore dhe masa të rrepta biosigurie.

“Pacienti do të mbetet i shtruar nën mbikëqyrje të specializuar mjekësore dhe me masat e biosigurisë të parashikuara për këtë lloj rasti”, tha ministria.

Autoritetet shëndetësore theksuan se zbulimi është bërë brenda një sistemi kontrolli tashmë të aktivizuar.

“Zbulimi i rastit ka ndodhur brenda sistemit të izolimit dhe kontrollit tashmë të aktivizuar, ndaj nuk ndryshon situatën e rrezikut për popullsinë e përgjithshme”, shtoi ministria.

Hantavirusi është një sëmundje e rrallë që zakonisht transmetohet përmes brejtësve të infektuar ose jashtëqitjeve të tyre. Megjithatë, lloji përgjegjës për këtë shpërthim, virusi Andes, mund të përhapet edhe mes njerëzve përmes kontaktit të ngushtë dhe të zgjatur, shpesh në ambiente të mbyllura.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit