E mërkurë, 21 Tetor 2026

Institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë shënuar përparim në zbatimin e reformave për trajtimin e rasteve të rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit, por sfidat në praktikën gjyqësore vazhdojnë të mbeten. Kështu thuhet në raportin e dytë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të publikuar në kuadër të Projektit Rajonal të Monitorimit të Proceseve Gjyqësore.
Sipas raportit, institucionet kanë ndërmarrë hapa konkretë në planifikimin strategjik, digjitalizimin e proceseve, trajnimin e specializuar dhe përmirësimin e praktikave gjyqësore. Megjithatë, këto ndryshime ende nuk po zbatohen në mënyrë të njëtrajtshme në të gjitha procedurat gjyqësore.
Një nga fushat ku është vërejtur përparim është publikimi i aktgjykimeve. Gjatë periudhës së monitorimit, 36 nga 41 aktgjykimet e shqyrtuara u publikuan online, përfshirë të gjitha 20 aktgjykimet e monitoruara të Gjykatës së Apelit.
Raporti evidenton gjithashtu përpjekje për përmirësimin e shërbimeve të interpretimit dhe përkthimit, si dhe të komunikimit të institucioneve të drejtësisë me publikun.
Megjithatë, OSBE-ja thekson se procedurat e zgjatura, veçanërisht në shkallën e apelit, mbeten ndër problemet kryesore. Sfidat përfshijnë edhe cilësinë dhe konsistencën e aktakuzave, arsyetimin e vendimeve gjyqësore, qasjen në interpretim dhe dokumentet e përkthyera, si dhe përdorimin e hetimeve financiare dhe konfiskimit të pasurisë së përfituar përmes veprimtarisë kriminale.
Menaxheri i projektit për komponentin e Kosovës, Kahramon Sanginov, tha se raporti njeh përparimin e institucioneve në zbatimin e rekomandimeve, por theksoi nevojën që reformat të japin rezultate konkrete në trajtimin e rasteve komplekse.
Në rekomandimet e tij, raporti kërkon përcaktim më të qartë të përgjegjësive institucionale, investime të vazhdueshme në ekspertizë profesionale dhe burime operacionale, si dhe zbatim më efektiv të strategjive dhe mjeteve digjitale.
Sipas OSBE-së, qëllimi është që reformat të përkthehen në rezultate të matshme në punën e përditshme të gjykatave dhe prokurorive, duke garantuar njëkohësisht të drejtën për gjykim të drejtë dhe pavarësinë e gjyqësorit.
Gjetjet dhe rekomandimet e raportit pritet të diskutohen në Forumin Gjyqësor Rajonal, i cili do të mbahet më 26 dhe 27 tetor 2026 në Budvë të Malit të Zi, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të gjyqësorit dhe prokurorisë nga gjashtë juridiksionet e Ballkanit Perëndimor të përfshira në projekt.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
