Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Palestinezët thirrje Argjentinës: Mos luani ndeshjen me Izraelin në Kuds

Prizren Post | 16:36 - 03.06.2018

Palestinezët në Bregun Perëndimor kërkuan që kombëtarja e Argjentinës në futboll të heqë dorë nga ndeshja miqësore me Izraelin, e cila do të luhet në Kuds, transmeton Anadolu Agency.

Palestinezët të cilët me thirrjen e Federatës së Futbollit të Palestinës u mblodhën para përfaqësisë diplomatike të Argjentinës në qytetin El-Bire të Bregut Perëndimor, kërkuan nga kombëtarja argjentinase të mos luajë në këtë ndeshje.

Kreu i Federatës së Futbollit të Palestinës, Xhibril er-Raxhub tha se “Ndeshja është shndërruar në një mjet të politikës për shkak të insistimit të Izraelit për ta luajtur atë në Kuds, për të cilin pretendon se është kryeqyteti i tij”.

Ai tha se zhvillimi i ndeshjes në territoret e okupuara nënkupton shkeljen e të drejtave ndërkombëtare dhe rregullave të FIFA-s. Raxhub thekson se u kanë bërë thirrje autoriteteve përkatëse në Argjentinë që të anulohet ndeshja.

Thirrje të veçantë për Messi-n

Raxhub u bëri thirrje edhe futbollistëve të kombëtares së Argjentinës, duke kërkuar nga Lionel Messi “të mos bëhet mjet për zbardhjen e fytyrës së zezë të okupimit izraelit” dhe të mos marrë pjesë në ndeshje.

“Nëse Messi insiston që të marrë pjesë në ndeshje ne do të nisim fushatë kundër tij në Palestinë, në shtetet arabe dhe në nivel ndërkombëtar. Shpresojmë se edhe shteti i tij nuk do të marrë pjesë në këtë ndeshje”, tha Raxhub.

Pritet që ndeshja mes kombëtareve të Argjentinës dhe Izraelit të luhet më 9 qershor.


Etiketa:
Arivisti Company