Pas 31 tetorit asnjë veturë me targa ilegale s’do të qarkullojë në Kosovë


E hënë, 5 Shtator 2022

PRISHTINË – Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se procesi i ndërrimit të targave ilegale në ato të Republikës së Kosovës (RKS) është i pandalshëm.

Ai ka shtuar se përkundër frikësimeve të qytetarëve nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të mbrojnë shtetasit kosovarë. Po ashtu, ka njoftuar se pas datës 31 tetor, asnjë veturë me targat ilegale nuk do të mund të lëvizë në Kosovë dhe pikë-kalimet kufitare.

Sveçla në konferencë për media tha se të gjitha qendrat janë të hapura për shndërrimin e targave në RKS.

“Pardje presidenti i Republikës së Serbisë, përmendi këtë proces ku edhe realisht kërcënoi qytetarët e Kosovës, të cilët planifikojnë që të jenë pjesë e këtij procesi në shndërrimin e targave ilegale në legale. Meqë rast përmendi fillimin e këtij procesi përmes identifikimit të dy rasteve, posaçërisht të veriut të Kosovës, ku edhe citoi se është një person, i cili punon në institucione të Kosovës. Mbrëmë pas mesnatës, shtëpia e rreshterit Dragan Nikolliq, i cili targat e veturës së tij i kaloi nga targa ilegale në ato legale të RKS-së. Me këtë rast persona të paidentifikuar kanë thyer shtëpinë e tij dhe një pjesë të saj ia kanë vënë zjarrin. I themi presidentit të Serbisë, Vuçiq, se ky proces është i pandalshëm dhe pavarësisht frikësimeve ne do të inkurajojmë dhe mbrojmë shtetasit tanë, nga të gjitha ato aktivitete kriminale të Serbisë, të cilat janë duke u luftuar në baza ditore nga institucionet e sigurisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Ministri Sveçla tha se janë të bindur që ky proces do të vazhdojë dhe përfundojë suksesshëm.

“Tashmë ekipet hetimore të PK-së janë duke hetuar rastin dhe duke punuar që personat e involvuar në këtë rast kriminal të zbulohen dhe të vihen para drejtësisë. Unë ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët janë subjekt të këtij procesi që as të mos frikësohen dhe as mos të hezitojnë t’i drejtohen MPB-së për vazhdim të procesit dhe po ashtu të të lajmërojnë çfarëdo kërcënimi që mund të vijë nga çfarëdo strukturë, kriminale apo paralele të Serbisë”, ka shtuar ai.

Ministri i Punëve të Brendshme ka njoftuar se asnjë veturë nuk mund të qarkullojë në rrugët e Kosovës pa u ndërruar targat.

“I gjithë ky proces do të zgjasë deri më 31 tetor. Dhe pas asaj, gjitha ata të cilët nuk e kanë shfrytëzuar këtë shans, këtë benefit, të cilën shteti i Kosovës e ka ofruar, do të jenë pronarë të veturave, të cilat nuk janë të regjistruara. Me këtë pastaj merret Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës, me ç’rast asnjë veturë nuk do të mund të qarkullojë as nëpër rrugët e Kosovës, por as nuk mund të shfrytëzojë pikë-kalimet kufitare të Republikës së Kosovës”, ka thënë Sveçla.

Etiketa: , , , ,