E hënë, 14 Shtator 2026

Debati shekullor mes besimit dhe ateizmit, e ka shoqëruar historinë e njerëzimit që nga zgjimi i parë i ndërgjegjes. Për shekuj me radhë, kjo përplasje ka prodhuar libra, polemika dhe beteja të ashpra intelektuale, por nuk ka mundur të japë një përgjigje përfundimtare ndaj vuajtjes njerëzore.
Sot, në një botë të tronditur nga ankthi dhe pasiguria, njeriu modern kërkon gjithnjë e më shumë një kuptim për ekzistencën e tij. Pikërisht këtë nevojë trajton shkrimtari britanik Thomas Oppong në esenë e tij “Einstein Believed in God”, ku rikthen në vëmendje marrëdhënien e Albert Ajnshtajnit me besimin.
Për Ajnshtajnin, besimi nuk ishte një bindje tradicionale fetare, por një ndjenjë e thellë mahnitjeje përpara rendit dhe harmonisë së universit. Në një telegram të famshëm të vitit 1929, Ajnshtajni shkroi se besonte te “Zoti i Spinozës”, që shfaqet përmes harmonisë së rregullt të gjithçkaje që ekziston.
Ai nuk e përfytyronte Zotin si një qenie njerëzore që shpërblen apo ndëshkon individët për veprimet e tyre të përditshme. Përkundrazi, ai fliste për një “ndjenjë fetare kozmike”, një përzierje mahnitjeje dhe respekti për ligjet e natyrës dhe strukturën matematikore të universit.
Kjo mënyrë të menduari e vendos besimin jo si kundërshtar të shkencës, por si një dimension tjetër të përvojës njerëzore. Shkenca mund të shpjegojë me saktësi mënyrën se si funksionon universi, por pyetja se pse ekzistojmë dhe çfarë kuptimi ka jeta mbetet shumë më e vështirë për t’u përgjigjur.
Në këtë kuptim, besimi nuk duhet të ngatërrohet me keqpërdorimin apo shtrembërimin e fesë për kontroll shoqëror dhe politik. Adhurimi dhe ritualet janë çështje personale.
Ajo që mbetet thelbësore është besimi si një spirancë psikologjike dhe një strehë ekzistenciale, si bindja se ekzistenca njerëzore nuk është thjesht një aksident pa kuptim.
Kjo ide merr një rëndësi të re në epokën e inteligjencës artificiale. Algoritmet po ofrojnë përgjigje të gatshme për gjithnjë e më shumë çështje, ndërsa emocionet, mendimet dhe sjelljet njerëzore po shndërrohen në të dhëna që mund të maten, parashikohen dhe komercializohen.
Makina mund të imitojë inteligjencën tonë, të llogarisë veprimet tona dhe të prodhojë tekste, por përballë pyetjes “pse?” mbetet e kufizuar. Këtu besimi shfaqet si një nga hapësirat e fundit ku njeriu mund të ruajë veçantinë e tij.
Rreziku bëhet edhe më i madh ndërsa fuqitë botërore garojnë për të përdorur inteligjencën artificiale në luftë, qeverisje dhe kontroll. Pyetja mbi kuptimin e ekzistencës nuk është më vetëm një shqetësim privat.
Ajo lidhet edhe me pyetjen se çfarë do të mbetet njerëzore në një botë ku makinat ndikojnë gjithnjë e më shumë në fatet e individëve dhe shoqërive. Njeriu i sotëm, i lodhur nga ritmi i konsumit, konkurrenca dhe realiteti virtual, rrezikon të shndërrohet nga krijues i teknologjisë në një ingranazh të saj.
Ekranet dhe shpejtësia e procesorëve nuk mund ta mbushin boshllëkun shpirtëror që krijohet nga kjo mënyrë jetese.
Besimi mund të rikthejë pikërisht atë që mungon: ndjenjën se njeriu nuk është thjesht një numër, një konsumator apo një grumbull të dhënash në një treg global. Ai është një qenie e vetëdijshme që kërkon kuptim, dinjitet dhe qetësi.
Historia ka treguar se shkenca dhe teknologjia janë jashtëzakonisht të fuqishme për të shpjeguar “si”-në e botës. Por jo pyetjes “Pse jemi këtu?” . Dhe pikërisht në këtë hapësirë mes dijes dhe misterit, besimi mund të shfaqet jo si pengesë për arsyen, por si një mënyrë për ta përballuar pasigurinë njerëzore.
Në një botë që po mbytet nga zhurma, frika dhe makineritë, besimi te Krijuesi mbetet për shumë njerëz, një nga strehët e fundit ku mendja mund të gjejë qetësi. tesheshi.com
Burimi: tesheshi
