Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

PDK e Prishtinës: Shpend Ahmeti ia ka garantuar burgun vetes

Prizren Post | 13:26 - 02.08.2017

Për veprimet e kundërligjshme, PDK-ja e Prishtinës ka thënë se Ahmeti ia ka garantuar burgun vetes.

Anëtarja e kryesisë së PDK-së, Mimoza Ahmetaj, njëherësh ministre në detyrë e Integrimeve Evropiane, ka thënë se qytetarët në vazhdimësi po i adresojnë keqpërdorimet e qeverisjes së Komunës së Prishtinës dhe kompleksi “Kodrina”, brenda vetes fsheh edhe një kompleksitet të madh pas të cilit po fshihen edhe vetë krerët e partisë Vetëvendosje, bashkë me Shpend Ahmetin dhe vartësit e tij në Komunën e Prishtinës.

“Lirisht mund të konstatojmë se pothuajse çdo veprim që ka bërë Shpend Ahmeti për ta shtyrë përpara këtë projekt qindra milionësh, për të cilin kushedi se çfarë interesash ka, e ka shoqëruar me shkelje të shumta ligjore”, ka thënë Ahmetaj.

Ndërsa, Kryetari i Degës së PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj, ka thënë se Shpend Ahmeti nënshkroi marrëveshje të kundërligjshme për “Kodrinën”, duke anashkaluar  tërësisht Kuvendin Komunal, ashtu siç e parasheh ligji.

“Pa aprovimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ai i dha monopol të plotë një kompanie”, ka thënë Çelaj.

I pari i PDK-së së Prishtinës, Lirak Çelaj, tha se për “Kodrinën” u shpall edhe tender ndërkombëtar për masterplanin, pa aprovimin e Kuvendit të Prishtinës, për një hapësirë që Komuna e Prishtinës kishte miratuar shumë më herët Planin Rregullues.

Ai tha se në 187,000 metra katrorë, Shpend Ahmeti lejoi ndërtimin e 530,000 metra katrorë objekte banimi dhe afarizmi.

Duke mos u mjaftuar me kaq, Çelaj tha se Shpend Ahmeti bëri shkelje tjetër duke përfshirë në projekt edhe 26,036 metra katrorë tokë komunale, pa aprovimin paraprak të Kuvendit Komunal.

“Për t’ia përmbushur mirë interesin, e rriti edhe koeficientin e ndërtimit për “Kodrinën” për 65 për qind mbi koeficientin e aprovuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës. Ai e ndryshojë edhe Planin Zhvillimor Urban dhe Planin Rregullues pa aprovim”, tha ai.

Çelaj tregoi se posedojnë informacione se për aferën e “Kodrinës”, Shpend Ahmeti dhe zyrtarë të lartë të Komunës së Prishtinës janë intervistuar nga organet e drejtësisë.

Ai u shpreh i bindur se përgjegjësit e kësaj afere do të përfundojnë prapa grilave.

I pari i PDK-së, Lirak Çelaj, ka thënë se shkelja e këtyre procedurave rrezikon të dëmtojë njërin prej projekteve më të rëndësishme të Komunës së Prishtinës, në vlerë prej 320 milionë euro.


Etiketa:
Arivisti Company