Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Përfitimet e Shqipërisë dhe humbjet e Serbisë nga taksa 100% e Kosovës

Prizren Post | 09:11 - 01.07.2019

PRISHTINË – Në pak muaj, Kosova është kthyer për Shqipërinë në partnerin e dytë tregtar të eksporteve, duke lënë pas Spanjën e duke u renditur direkt pas Italisë.

Nëse analizojmë statistikat e tregtisë së jashtme të publikuara nga INSTAT, rezulton se kthesa e fortë ka nisur në muajin shkurt të këtij viti, me rritjen e parë prej 600 milion lekë më shumë e duke u konsoliduar në pas me një rritje progresive prej 1.2 miliardë lekësh më shumë nga muaji në muaj.

Në fakt, duket se vendosja e taksës 100 % të mallrave nga Serbia dhe Bosnjë – Hercegovina në Kosovë, ka filluar të japë efektet e para dhe në Shqipëri. Bazuar në raportet e përmuajshme të INSTAT mbi tregtinë e jashtme, eksporti i mallrave në Kosovë është rritur me shifra të konsiderueshme. Në 4 muajt e këtij viti (janar-prill 2019) rritja është 3 miliardë lekë më shumë se në janar-prill 2018.

Referuar të dhënave të INSTAT, Shqipëria eksportoi në Kosovë 8.9 miliardë lekë mallra këtë vit, në një kohë që në janar-prill të vitit të kaluar ka eksportuar 5.8 miliardë lekë. Vlera e mallrave të eksportuar në Kosovë në Janar 2019 kap vlerën e 1 miliardë lekëve. Në shkurt shifra ishte 1.9 miliardë lekë, duke njohur një rritje prej më shumë se 800 milionë lekësh në krahasim me muajin janar. Tendenca rritëse vijoi edhe në muajt pasues; në mars 2019 në 2.7 miliardë lekëve dhe në prill në vlerën e 3.1 miliardë lekëve.

Çfarë eksportoi Shqipëria në Kosovë

Nëse analizojmë grup-mallrat e eksportuara, rezulton se peshën më të madhe në këtë rritje e ka pasur grupi ‘minerale, lëndë djegëse e energjisë elektrike’ dhe grupi ‘materiale ndërtimi dhe metale’. Sipas të dhënave të INSTAT për tregtinë e jashtme sipas grup – mallrave, në periudhën janar – prill 2019, Shqipëria ka eksportuar grup – mallra ‘ushqime, pije, duhan’, me vlerë 266 milionë lekë më shumë se në janar-prill 2018, 208 milionë lekë më shumë grup – mallra ‘produkte kimike dhe plastike’, 113 milionë lekë më shumë grup – mallra ‘prodhime druri dhe letre’, 624 milionë lekë më shumë mallra ‘materiale ndërtimi dhe metale’ dhe plot 1.716 miliardë lekë më shumë grup – mallra ‘minerale, lëndë djegëse, energji elektrike’.

Çfarë i ndodhi Serbisë dhe Bosnjes nga vendosja e taksës?

Që prej vendosjes së taksës, në tetor të vitit të kaluar, ndikimi i tërthortë në Shqipëri është ndjerë pas një periudhe tremujore, kohë e mjaftueshme për të “zbrazur” rezervat e Kosovës me mallra serbe dhe ato të Bosnjë – Hercegovinës. Vendosja e taksës në fakt, ka dhënë pasur impakt direkt e të menjëhershëm në uljen e importeve të Kosovës. Nëse analizojmë shifrat e Institutit të Statistikave të Kosovës, rezulton një ‘prerje’ e menjëhershme e importeve të Kosovës nga Serbia dhe Bosnja.

Referuar të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në muajin nëntor 2018 (pak pas vendosjes së taksës) importet e Kosovës nga Serbia ranë në 15.5 milion euro, duke njohur më shumë se përgjysmim të tyre në krahasim me nëntorin e vitit 2017 kur importet ishin në nivelin 36.9 milion euro. Të njëjtin efekt, taksa e pati për Bosnjë – Hercegovinën, ku importet në nëntor të vitit 2018 ishin 3 milion euro, në një kohë që në nëntorin e vitit 2017 ato kanë qenë në nivelin 6.2 milion euro. Në dhjetor situata e importeve të Kosovës nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina njohu rënie të mëtejshme.

Referuar të dhënave të Agjencisë së Statistikave në Kosovë, në dhjetor 2018 niveli i importeve të Kosovës nga Serbia ra në 5.3 milion euro ndërsa me Bosnje-Hercegovinën rënia ishte edhe më dramatike, në 199 mijë euro. Kujtojmë faktin se në të njëjtën periudhë të një viti më parë (nëntor 2017) importet e Kosovës nga Bosnje-Hercegovina ishin 7.9 milion euro. Edhe janari ka qenë një muaj humbjesh të konsiderueshme për Serbinë dhe Bosnjen, në të cilin importet e Kosovës nga këto vende ishin përkatësisht 1.4 milion euro dhe 312 mijë euro.

Shkurti dhe marsi i këtij viti kanë qenë gjithashtu muaj ku niveli i shkëmbimeve tregtare të Bosnjes dhe Serbisë me Kosovës ranë në nivelet më minimale. Në shkurt Kosova, nga niveli mujor i 30 milion eurove që ishte më parë, importoi vetëm 482 mijë euro mallra nga Serbia. Po ashtu, edhe me Bosnjen niveli i shkëmbimeve ra në kuotën 829 mijë euro. Edhe muaji marsi i këtij viti vijoi me të njëjtën tendencë. Në Kosovë u futën 535 mijë euro mallra serbe dhe vetëm 34 mijë euro mallra nga Bosnja dhe Hercegovina.

Këto shifra, krahasuar me vitet paraardhëse por dhe me njëra – tjetrën, na nxjerrin në përfundimin se nëse Serbia renditej e para, tani jo vetëm që është “zhdukur” nga harta e gjeografisë tregtare të Kosovës, por ka konsoliduar pozicionin e Gjermanisë në vendin e parë të partnerëve tregtarë të Kosovës. Nga ana tjetër, “vendi i dytë” duket se është ndarë mes shumë shteteve të tjera, me të cilat niveli i importeve varion nga muaji në muaj, njofton Insajderi.


Etiketa:
Arivisti Company