Prizren: Ra nga kulmi dhe vdiq, Policia jep detaje dhe ndalon një person


E mërkurë, 15 Korrik 2026
Prizren: Ra nga kulmi dhe vdiq, Policia jep detaje dhe ndalon një person

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin e vdekjes së një 62-vjeçari në lagjen Arbana të Prizrenit, ngjarje që ndodhi dje rreth orës 18:00, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Sipas të dhënave fillestare të IQP-së (Inspektorati Qendror i Punës) viktima nuk ka qenë i punësuar në punimet që po kryheshin në objekt. Aksidenti ka ndodhur në një shtëpi private, ku po zhvilloheshin punime për renovimin e kulmit.

Ndërka, zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, bëri të ditur se, sipas informacioneve fillestare dhe deklarimeve të dëshmitarëve, viktima dyshohet se ka rënë nga kulmi i shtëpisë së tij, teksa ishte duke kryer punime.

“Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer veprimet e nevojshme hetimore, kanë siguruar vendin e ngjarjes, kanë mbledhur prova materiale dhe kanë intervistuar dëshmitarët. Për rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit”, konfirmoi ai për portalin GeP.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Në kuadër të hetimeve, një person i dyshuar në cilësinë e punëkryesit është ndaluar për 48 orë. Ndërkaq, është iniciuar hetim për veprën penale “Heqja apo mosvendosja e pajisjeve mbrojtëse”, sipas nenit 358 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./ Gazeta e Prizrenit /


Burimi: gazetaeprizrenit

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit