E martë, 4 Gusht 2026

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji ndaj të pandehurve Xh.B. dhe B.R., të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale “Përvetësimi në detyrë në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi”.
Sipas vendimit të gjyqtares së procedurës paraprake, të pandehurit e kanë të ndaluar të largohen nga vendbanimi pa lejen e gjykatës dhe nuk guxojnë të kontaktojnë me persona me të cilët nuk jetojnë apo nuk janë të varur prej tyre. Nëse e shkelin këtë masë, ndaj tyre do të cakohet masa e paraburgimit. Zbatimi i arrestit shtëpiak do të mbikëqyret nga Stacioni Policor, i cili ka të drejtë të bëjë verifikime në çdo kohë.
Përvetësimi i mjeteve ka ndodhur në dy periudha kohore: Gusht – Nëntor 2024 Shkurt – Dhjetor 2025.
Sipas hetimeve të deritanishme, i dyshuari Xh.B. ka përvetësuar shumën prej 1,250 eurove, ndërsa i dyshuari B.R. ka përvetësuar 1,032 euro. Dëmi i përgjithshëm i shkaktuar nga kjo veprimtari e kundërligjshme llogaritet të jetë 2,282 euro.
Burimi: gazetaeprizrenit
