Pse të 40-at janë periudha më e lodhshme e jetës?


E hënë, 2 Mars 2026
Pse të 40-at janë periudha më e lodhshme e jetës?

A e keni menduar ndonjëherë se cila është mosha më e lodhshme fizikisht? Sipas Michelle Spear, profesoreshë e anatomisë në Universitetin e Bristolit, ajo është dekada midis 40 dhe 50 vjeç.

Kanë ikur kohët kur mund të punonit, të dilnit me miqtë deri vonë dhe të nesërmen të niseshit të freskët si “lule margarita”. Në moshën dyzetvjeçare, duket se është më e vështirë ta mposhtësh lodhjen. Kjo nuk ndodh sepse jemi të moshuar, por sepse ndryshimet biologjike konvergojnë me kulmin e kërkesave të jetës.

Në moshën e rritur të hershme, trupi është në kulm. Forca muskulore është maksimale edhe pa u ushtruar. Kur keni më shumë muskuj, çdo gjë kërkon më pak energji. Mitokondritë janë efikase, gjumi është i thellë dhe ritmet hormonale janë të qëndrueshme. Në të 20-tat, energjia është e bollshme.

Rreth moshës dyzet vjeç, masa muskulore fillon të bjerë, përveç nëse ushtroheni fizikisht. Gjumi bëhet më i cekët dhe në veçanti gratë, përjetojnë ndryshime hormonale që ndikojnë në nivelin e energjisë. Gjithashtu, truri është në kulmin e ngarkesës. Kujdesi për fëmijët, prindërit, shtëpinë dhe karrierën harxhon energji po aq sa puna fizike.

Në moshën 60-vjeçare, shpesh ndodh e kundërta e asaj që presim. Luhatjet hormonale stabilizohen, përgjegjësitë zvogëlohen dhe përvoja zëvendëson pavendosmërinë. Jeta bëhet më e parashikueshme, duke na lejuar të kursejmë rezervat tona të energjisë.

Lodhja në moshën e mesme vjen nga çekuilibri midis biologjisë dhe kërkesave të jetës. Nëse ndiheni të rraskapitur, mos u dëshpëroni: nuk është paralajmërim i një rënieje të pashmangshme, por një shenjë se kanë ndryshuar “rregullat e lojës”. /tesheshi.com/


Burimi: tesheshi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit