E enjte, 7 Janar 2021
1.
Nata e përgjakshme e 6 janarit në Kongresin Amerikan, rrëfeu për tranzicionin jo aq të lehtë presidencial. Kundërshtarët e këtij tranzicioni demokratik, që vjet na këshillonin të harrojmë historinë, mbrëmë prodhuan histori tragjike. Fatmirësisht, demokracia amerikane është aq stabile dhe Republika Amerikane aq e fortë, sa e tejkaloi shpejtë edhe këtë epizodë historike duke e konfirmuar Presidentin e ri-Bajden.
2.
Në vitin 21, të shekullit 21, pos post-trampizmit, pritet që Gjermania të kalojë në periudhën post- Merkel, kurse Britania e Madhe në atë post-BREXIT. Me 21 janar, Presidenti Bajden do e fillojë mandatin e parë, e Kancelarja Merkel, në fund të vitit, do e përfundojë mandatin e fundit. Presidenti Makron, do të përgatitet për të riun, e Premieri Xhonson do e fillojë vitin, si i pari Kryeministër Britanik – jashtë BE-së. Putini do e kalojë vitin e parafundit presidencial, i rahatuar me ligjin që imunizon vetën dhe presidentët e tjerë nga ndjekja penale, ndërkaq Xiping do të mbetet i pakontestueshëm në Kinë edhe pas këtij viti.
3.
Në Ballkan, këtë vit Kosova e Shqipëria do të kenë zgjedhje të reja dhe qeveri të reja. Së paku në Kosovë, asgjë nuk do të jetë njësoj – si pas 14 shkurtit. Mali i Zi do të vazhdojë kohabitacionin e vështirë midis Presidentit Gjukanoviq dhe Qeverisë Krivokapiq, e cila mezi mbahet – me vetëm një votë mbi shumicën (41 nga 80), po sikur Maqedonia e Veriut (me 61 nga 120). Në Serbi, Vuqiqi i fuqizuar pas zgjedhjeve të fundit, do të përgatitet për mandatin e dytë. Bosna e Hercegovina do fillojë vitin e parë pas çerek-shekullit Dejtonian, pas disfatës zgjedhore lokale të lidershipit – deri dje – të pakontestueshëm në Bosnjen qendrore dhe në Republika Srpska.
4.
Fillimi i këtij shekulli, çuditërisht, ri-ktheu eksperimentin e dështuar jugosllav të shekullit të kaluar; tash përmes “Mini Shengenit Ballkanik”. Beogradi e din se vetë, nuk mund t’i bëjë ballë unfikimit shqiptarë në Ballkan, sidomos pas fuqizimit të tyre në katër shtete ballanike që kufizohen me vetëveten dhe me dy detëra. Shihet se Serbisë i duhet një Jugosllavi e re. Pas asaj monarkike dhe komuniste, po mundohet ta krijojë, tash atë të tretën – “evropianen”. E themeluar, si krijesë e përkohshme, Jugosllavia përfundoi në fund të shekullit të kaluar me shpërbërjen e shetit të fundit me këtë emër. Sapo menduam që ky tranzit historik i takonte së kaluarës, Beogradi ri-ktheu idenë e integrimit jugosllav, tash nën ambalazhën “integruese rajonale ”. Jo nga emërtimi, por nga përmbajtja, kjo ide e Beogradit, nxjerrë qartazi ri-kthimin e hegjemonisë serbe në Ballkan. Ndonëse, deri në shekullin 18, e pranonin se nuk ishin “komb i vërtet”, por vetëm “komb në ide”, (siç shkruante në peticionin e “Kuvendit të Temishvarës” së vitit 1790 dërguar Vjenës)! Mirëpo një shekull më vonë Kongresi i Berlinit do e njihte principatën serbe në kufijtë e Pashallëkut të Beogradit, që më vonë do të zgjerohej artificialisht: pas Luftës së Parë Botërore si Monarki Jugosllave; e pas Luftës së Dytë, si Republikë Komuniste. Megjithatë, as me mbretin serb e as me monarkun e kuq kroat, ajo nuk e mbijetoi shekullin; e nuk do të mund të jetësohet as nga ish ministri i propagandës së regjimit të Millosheviqit. Sidomos jo pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
5.
Ballkani, pra kishte një hiper-prodhim historik. Por, historia na mëson se Rusia nuk pranonte asgjë në Ballkan, nëse nuk e krijonte vetë. Para një shekulli, ajo shtyu përpara idenë e bashkimit të sllavëve të jugut në një shtet të shtrirë në hapësirat e dy ish perandorive (Austro-Hungareze dhe Otomane). Projektin carist e kishte vazhduar kominterna sovjetike, e sot po e mbështet edhe Rusia neo-cariste. Ky bashkim i sllavëve të jugut në një shtet, qe lejuar madje edhe nga Evropa. Por jo edhe shtetëzimi i bashkimit të shqiptarëve. Në Londër fuqitë e mëdha ndanë shqiptarët, ndërkaq në Versajë bashkuan sllavët.
Londra ndau vëllëzërit në më shumë shtete, ndërkaq Versaja bashkoi “kusherinjtë” në një shtet. Mbi një shekull, Evropa kundërshtoi bashkimin e të njejtit komb në një shtet, ndërkaq lejoi bashkimin e më shumë kombeve të ndryshme në një shtet. Shqiptarëve u qe ndaluar sovranizimi shtetëror, ndërkaq serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, u qe lejuar shteti i përbashkët.
Pse ky kundërshtim evropian ndaj bashkimit natyror dhe pse kjo mbështetje për bashkimin artificial? Po të parafrazonim Fihten se: “kombi është gjuha”, pse Evropa dje, lejoi bashkimin e kombeve që nuk flisnin një gjuhë e ia mohon këtë të drejtë shtet-unifikuese, një kombi që flet një gjuhë?
Po kjo Evropë që sot pranon kontestimin e zgjerimit të saj në Ballkan, nga kundërshtimet historike të shteteve të saj anëtare, ndaj shteteve jo-anëtare. Pak duhej që në samitin e Këshillit Evropian referenca historike të bëhej pjesë e konkluzioneve finale.
Tre dekada nga parashikimi i Fukujamës për “fundin e historisë”, zhvillimet po dëshmojnë rikthimin e saj.
*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.
Etiketa: Blerim Reka