E diel, 9 Gusht 2026

Muhammad Gholam El Habot vendos me kujdes një palë doreza të bardha para se të prekë dorëshkrimet e vjetra. Brenda bibliotekës së heshtur në qytetin e lashtë Chinguetti, në veri të Mauritanisë, raftet metalike mbajnë qindra libra të rrallë me kopertina lëkure të konsumuara nga koha.
Ajri është i freskët, ndërsa drita e fortë e mesditës hyn përmes dyerve të drunjta të hapura. Ai hap një dorëshkrim të madh në arabisht, kontrollon faqet e zverdhura për dëmtime, pastaj e mbyll me kujdes dhe e vendos në një kuti kartoni.
“Këta libra janë si familja ime!”- thotë 50-vjeçari në dialektin hassaniya, ndërsa largon mizat që i sillen rreth fytyrës. “Marrëdhënia ime me ta është si ajo mes babait dhe birit. Duhet t’i mbrojmë”- shton ai.
Biblioteka e familjes El Habot është një nga të paktat që kanë mbetur ende funksionale në Chinguetti, një qytet mesjetar i ndërtuar buzë Saharasë, dikur qendër e rëndësishme tregtare dhe fetare e botës islame.
Sot, rrugicat prej guri janë pothuajse të boshatisura. Shumica e banorëve janë larguar drejt kryeqytetit Nouakchott apo qyteteve të tjera në kërkim të punës dhe një jete më të mirë.
Por emigrimi nuk është kërcënimi i vetëm. Mauritania, ku rreth 90 për qind e territorit mbulohet nga Sahara, po përballet me përshpejtimin e desertifikimit dhe ndryshimeve klimatike. Stuhitë e rërës janë më të shpeshta, temperaturat ekstreme zgjasin më shumë dhe reshjet janë bërë të paparashikueshme.
Për bibliotekat e ndërtuara me baltë dhe gurë, kjo është një katastrofë e heshtur. “Nxehtësia ekstreme dhe lagështia e paqëndrueshme i dëmtojnë dorëshkrimet në mënyrë të pakthyeshme”- shpjegon studiuesi amerikan Andrew Bishop, i Universitetit të Wyoming. “Këto ndërtesa tradicionale nuk janë ndërtuar për t’i përballuar temperaturat mbi 40 gradë apo reshjet intensive”- thekson më tej ai.
Muhammad el Habot nuk kishte planifikuar të bëhej bibliotekar. Në vitin 2002, pas sëmundjes dhe vdekjes së të atit, ai mori përsipër bibliotekën familjare nga ndjenja e detyrës. Në kulturën e tyre, kujdesi për librat konsiderohej një nder i madh.
Sot, thotë ai me keqardhje, brezi i ri nuk mendon më njësoj. Dy djemtë e tij nuk duan ta vazhdojnë këtë traditë. Shumë të rinj të Chinguettit largohen drejt qyteteve të mëdha, ku mundësitë ekonomike janë më të mëdha.
“Dikur ishte krenari të zgjidhesh për të ruajtur bibliotekën. Sot të gjithë duan të largohen”- thotë ai. Historia e bibliotekës së familjes së tij shtrihet disa shekuj pas. Një nga paraardhësit e tij, Sidi Mohamed Ould Habot, ishte ndër dijetarët e njohur që udhëtonin nga Egjipti deri në Andaluzí në kërkim të dijes.
Ata sollën në Chinguetti mijëra libra mbi jurisprudencën islame, matematikën, mjekësinë, astronominë dhe poezinë. Në kulmin e saj, qyteti konsiderohej “qyteti i shtatë i shenjtë i Islamit”. Pelegrinët që udhëtonin drejt Mekës ndalonin aty për t’u përgatitur për rrugën e gjatë përmes shkretëtirës.
Me kalimin e kohës, rrugët tregtare ndryshuan dhe rëndësia e qytetit u zbeh. Bibliotekat filluan të mbyllen njëra pas tjetrës. Megjithatë, El Habot beson se trashëgimia e familjes nuk mund të braktiset.
“Paraardhësit tanë e lanë amanet që biblioteka të mbetej e hapur për të gjithë dhe të ruhej nga një pasardhës i ndershëm i familjes. Për ne kjo është përgjegjësi morale dhe shpirtërore”- shprehet ai.
Ndërkohë ruajtja e dorëshkrimeve është bërë gjithnjë e më e kushtueshme. Librat dëmtohen nga insektet, lagështia dhe temperaturat ekstreme. Në ditët më të nxehta, ai vendos kova me ujë në sallë për të rritur lagështinë e ajrit dhe për të mbrojtur faqet e brishta nga tharja.
Turizmi, dikur një burim i rëndësishëm të ardhurash për bibliotekat, ka rënë ndjeshëm që prej sulmeve ndaj të huajve në Mauritani dhe më pas pandemisë. Vizitorët po rikthehen ngadalë, por shumica e bibliotekave të Chinguettit mbeten të mbyllura.
Në vitin 2024, UNESCO financoi një projekt restaurimi prej 100 mijë dollarësh për trembëdhjetë biblioteka të qytetit, duke siguruar kondicionerë, kompjuterë dhe pajisje ruajtjeje. Por për El Habot, sfida është shumë më e madhe sesa mungesa e pajisjeve.
Ai hap një tjetër dorëshkrim të vjetër dhe tregon me emocion ilustrime të fazave të hënës dhe një eklipsi. Në faqen tjetër shfaqen Meka dhe Medina. “Duhet ta mbroj këtë trashëgimi sikur të ishte pjesë e imja. Jo vetëm për familjen time, por për gjithë njerëzimin”- thotë me zë të ulët, ndërsa mban librin në duar. tesheshi.com
Burimi: tesheshi
