Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Rusia vazhdon bombardimet në Siri

Prizren Post | 20:20 - 03.10.2015

Edhe pse një ditë më parë vendet e koalicionit kundër shtetit Islamik kritikuan Rusinë për bombardimet në Siri, kjo e fundit nuk është ndalur as sot kur po shënon ditën e katërt të bombardimeve ndaj këtij shteti.

Kjo është bërë e ditur përmes ministrisë ruse të Mbrojtjes, e cila përmes një deklarate ka thënë se avionët e saj bombarduan të shtunën 9 pozicione të militantëve të ISIS, pranë qytetit të Rakas, transmeton TCH.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë ndërmarrë 20 sulme, nga të cilat raportohet të jenë shkatërruar disa baza ushtarake, përfshirë magazinat e armatimeve dhe naftës, sikurse të gjitha makineritë tokësore të zotëruara nga anëtarët e Shtetit Islamik”, deklaroi zyrtari rus.

Gjithashtu, Rusia ka mohuar çdo sulm te pohuar më parë nga shtetet e tjera ndaj civilëve, duke theksuar se i është përmbajtur objektivave të saj.

Por sot, gjatë një interviste për gazetën “The Sun”, sekretari britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon njoftoi se në bazë të të dhënave të vendit të tij, vetëm 1 sulm ajror ndër 20 të tillë në Siri ka pasur si shënjestër qendrat e Shtetit Islamik.

Ai paralajmëroi se presidenti rus Vladimir Putin dhe qeveria e tij po synon të vrasë civilët që janë kundër qeverisjes së Bashar al Assad./lajmi/


Etiketa:
Arivisti Company