Sekreti i errët pas ushqimeve që hamë çdo ditë


E diel, 9 Gusht 2026
Sekreti i errët pas ushqimeve që hamë çdo ditë

Më 14 mars 2025, në periferi të Bogotas, një vajzë 6-vjeçare u rrëzua në banesën e saj për shkak të një bllokimi të rëndë intestinal.

Sipas raportimit, dieta e saj ishte përbërë pothuajse vetëm nga ushqime ultra të përpunuara: patatina, ëmbëlsira industriale, produkte të skuqura dhe pije me shumë sheqer.

Ushqime të lira, por të varfra në fibra dhe vlera ushqyese, që konsumohen shpesh në zona ku edhe uji i pijshëm është një luks.

Në të njëjtën kohë, kompanitë më të mëdha të industrisë ushqimore kishin nisur një betejë ligjore dhe lobimi kundër përpjekjeve të qeverisë kolumbiane për të kufizuar konsumimin e ushqimeve të dëmshme.

Një hetim ndërkombëtar i zhvilluar nga Lighthouse Reports dhe disa media partnere ka zbuluar mënyrën se si industria e quajtur “Big Food” përdor fuqinë ekonomike, avokatët dhe ndikimin politik për të bllokuar reforma shëndetësore.

Sipas hetimit, mes viteve 2010-2025, në gjashtë vende të analizuara – Meksikë, Kolumbi, Brazil, SHBA, Britani dhe Indi – kompanitë e ushqimeve ultra të përpunuara kanë ngritur 239 procese gjyqësore kundër masave që synojnë mbrojtjen e konsumatorëve.

Në total, zyrtarët shtetërorë dhe juristët publikë janë detyruar të shpenzojnë më shumë se 595 vite pune duke u përballur me këto beteja ligjore.

Ndër kompanitë me më shumë përplasje gjyqësore janë Coca-Cola me 24 raste, PepsiCo me 17, Mondelez me 8, ndërsa Kellogg’s dhe Danone me nga 5 raste secila.

Në listë shfaqet edhe kompania italiane Ferrero, e njohur për produkte si Nutella, e cila është përfshirë në disa konflikte rreth rregullave të reja ushqimore.

Kompanitë deklarojnë publikisht se mbështesin ushqyerjen e shëndetshme dhe zgjedhjet e informuara të konsumatorëve.

Por kur qeveritë tentojnë të vendosin taksa mbi pijet me sheqer ose etiketa paralajmëruese në paketim, përgjigjja shpesh është një padi ose kërcënim ligjor.

Një nga strategjitë më të përdorura nga industria nuk është domosdoshmërisht fitimi i gjyqeve, por vonimi i ligjeve.

Në Meksikë, ku janë regjistruar shumica e proceseve, kompanitë kanë kundërshtuar për vite me radhë etiketat paralajmëruese në ushqime. Edhe kur shanset për fitore janë të vogla, një vendim i përkohshëm gjykate mund të shtyjë zbatimin e një reforme për vite.

Në Europë, kjo strategji shfaqet përmes presionit politik që njihet si “ftohje rregullatore”: qeveritë dekurajohen që të miratojnë ligje të reja nga frika e proceseve, konflikteve me rregullat e tregut europian apo humbjes së investimeve.

Italia është një shembull i veçantë. Ndërsa vende si Franca kanë përdorur sistemin Nutri-Score për të informuar konsumatorët mbi vlerat ushqyese, në Itali ky model është kundërshtuar fuqishëm nga industria ushqimore.

Në vend të tij është promovuar sistemi Nutrinform Battery, i cili sipas kritikëve është më pak i kuptueshëm për konsumatorët.

Por pas debatit politik fshihet një problem serioz shëndetësor. Italia ka një nga nivelet më të larta në Europë të mbipeshës dhe obezitetit te fëmijët dhe, ndryshe nga disa vende të tjera, nuk ka kufizime të forta ndaj reklamimit të ushqimeve të dëmshme për të miturit.

Studimet shkencore kanë rritur shqetësimin mbi ndikimin e ushqimeve ultra të përpunuara. Një kërkim klinik i Institutit Kombëtar të Shëndetit në SHBA ka treguar lidhje të drejtpërdrejtë mes konsumit të këtyre produkteve dhe shtimit në peshë.

Ndërsa kërkime të tjera ndërkombëtare kanë paralajmëruar për rritjen e rrezikut ndaj diabetit, sëmundjeve kardiovaskulare dhe disa llojeve të kancerit.

Ndërsa kompanitë mbrojnë një treg me vlerë miliarda dollarë, qeveritë përballen me një sfidë të madhe: si të mbrojnë shëndetin publik pa u bllokuar nga presioni ekonomik dhe juridik i industrisë së ushqimeve ultra të përpunuara. tesheshi.com


Burimi: tesheshi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit