Shteti i Palestinës njihet zyrtarisht nga Vatikani


E diel, 3 Janar 2016

Vatikan – Një marrëveshje e nënshkruar vitin e kaluar për zyrtarizimin e njohjes së Palestinës nga ana e Vatikanit të bërë më 2012, ka hyrë në fuqi, ka thënë Selia e Shenjtë të shtunën. Vatikani ka nënshkruar traktatin e tij të parë me “Shtetin e Palestinës” qershorin e kaluar kur bëri thirrje për dhënien fund konfliktit Izrael – Palestinë dhe i dha mbështetje zgjidhjes dy-shtetërore.


“… Selia e Shenjtë dhe Shteti i Palestinës kanë njoftuar njëri-tjetrin se kërkesat procedurale për hyrjen në fuqi të marrëveshjes janë përmbushur”, ka thënë Vatikani në një deklaratë për media të shtunën, raporton Reuters.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka adoptuar një rezolutë më 2012 e cila njihte Palestinën si shtet mbikëqyrës jo-anëtar. Kjo ishte mirëpritur asokohe nga Vatikani, i cili ka gjithashtu të njëjtin status në OKB, transmeton Koha.net.

Në tetorin e vitit 2014, Suedia njohu Palestinën, një vendim ky që kishte nxitur reagime nga Izraeli dhe që çoi në tensionim të raporteve mes tyre.

Izraeli më parë e kishte quajtur marrëveshjen e Vatikanit një veprim të nxituar që do të mund t’i dëmtonte shpresat për një marrëveshje paqësore dhe do të ndikonte në vetë marrëdhëniet diplomatike mes Izraelit dhe Vatikanit.

Etiketa: ,