Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Shteti nuk po ia jep pensionin e heroit, familjes së Enver Zymberit

Prizren Post | 21:25 - 25.07.2016

Prishtinë – Po bëhen pesë vjet që kur pjesëtari i njësisë speciale të Kosovës, Enver Zymberi u nda nga jeta. Por shteti ende nuk po ia jep pensionin e heroit familjes së tij.

Edhe pse ka kaluar gjysmë dekade, fare pak dritë është hedhur mbi shkaktarët e ndodhisë së korrikut 2011, kur Zymberi u vra në aksionin e urdhëruar nga Qeveria e Kosovës, për t’i marrë nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31, të cilat deri në atë kohë kontrolloheshin nga serbët.

Deri më tani, askush nuk është dënuar për vrasjen e 32 vjeçarit që la prapa bashkëshorten me dy fëmijë.

I ati i Enverit mendon që nuk është bërë sa duhet në këtë drejtim, dhe familjarët nuk po e marrin përkujdesjen institucionale të premtuar.

“S’kanë bërë sa duhet, sidomos këta të huajt s’i kanë dhënë fort rëndësi për zbardhjen e rastit”.

“Rrogën e heroit nuk po ia qesin, 240 euro rrogë a pension djali më ka thënë se po i marrum, por a është e mjaftueshme, jo”.

Derisa për vrasjen e policit deri më tani janë gjykuar dy të dyshuar, nga të cilët njëri u shpall i pafajshëm, e tjetri mori dy vite burgim me kusht, mbrojtësi i viktimës , Burhan Maxhuni po thotë që lënda e tij nuk është zvarritur.

Sipas tij e gjithë kjo është administrative.

“Palët e dëmtuara e kanë gjithmonë dëshirën që të kryhen rastet sa më shpejt, por janë procedura të cilat po i zhvillon EULEX-i dhe nuk ka mundësi më shpejt”, ka deklaruar Burhan Maxhuni.

Përvjetori i vrasjes së tij, është të martën më 26 korrik, ku edhe sivjet pritet të mbahen aktivitete përkujtutuese.


Arivisti Company