E shtunë, 25 Prill 2026

Pas rënies së regjimit të Assadit, mijëra sirianë, përfshirë pjesëtarë të minoriteteve që pretendojnë se kanë ikur nga rreziku në vendin e tyre, po përballen me refuzime gjithnjë e më të shpeshta të kërkesave për azil në Evropë. Ndërsa qeveritë evropiane kanë ashpërsuar politikat e migracionit, shumë azilkërkues mbeten në një gjendje të pasigurt, mes frikës për kthim dhe mungesës së mbrojtjes.
Burra të armatosur hynë me forcë në apartamentin ku studenti Mohamad jetonte me familjen e tij alavite në qytetin sirian Jableh më 7 mars të vitit të kaluar, dhe e detyruan 20-vjeçarin dhe babanë e tij të shtriheshin me fytyrë nga toka, ndërsa ata luteshin për jetën e tyre.
Në fund, personat e armatosur u larguan duke marrë para dhe disa sende personale, por familja vendosi të largohej nga banesa. Mohamad tregoi se ata mbetën të tmerruar nga kjo përvojë dhe nga vala e vrasjeve që synonin alavitët e tjerë pas rënies së regjimit të diktatorit Bashar al-Assad, i cili i përkiste të njëjtit sekt minoritar.
Pas nëntë muajsh duke ndërruar vazhdimisht banesa për të shmangur një sulm tjetër, Mohamad udhëtoi drejt Amsterdamit me një vizë turistike së bashku me xhaxhain e tij Salman. Ata kërkuan azil sapo mbërritën, por kërkesa e tyre u refuzua brenda pak javësh, pasi nuk u konsideruan si persona në rrezik të drejtpërdrejtë, sipas dokumenteve të para nga Reuters.
Këta dy burra janë mes mijëra sirianëve, kërkesat për azil të të cilëve janë refuzuar në një kohë kur qeveritë evropiane po ashpërsojnë qëndrimin e tyre ndaj aplikimeve nga Siria, tani që Assadi është rrëzuar dhe lufta civile 14-vjeçare në vend ka përfunduar.
Megjithatë, përpjekjet e presidentit Ahmed al-Sharaa për të vendosur kontroll qendror mbi një vend të përçarë janë ndërlikuar nga dhuna vdekjeprurëse kundër alavitëve, druzëve dhe kurdëve. Kjo ka shtuar mosbesimin e komuniteteve minoritare ndaj qeverisjes së tij, pavarësisht premtimeve për mbrojtjen e tyre.
“A duhet të arrijmë të vdekur apo pa një gjymtyrë që ata ta marrin seriozisht kërkesën tonë?” u shpreh Mohamad, duke kërkuar që të përdorej vetëm mbiemri i tij nga frika e hakmarrjes ndaj të afërmve.
Sipas Agjencisë së Azilit të Bashkimit Evropian (EUAA), nga 38.407 vendime për azil për sirianët në vitin 2025, 27.687 ishin negative. Agjencia theksoi se kjo shpesh ndodhte për arsye procedurale, si për shembull kur aplikantët kishin kërkuar më parë azil në një vend tjetër të BE-së, ose kishin tërhequr aplikimet e tyre.
Kjo përkthehet në një normë suksesi prej 28%, krahasuar me 90% në vitin 2024.
Shkalla e suksesit në fazën e parë në të gjithë BE-në, Norvegjinë dhe Zvicrën për të gjitha kombësitë ra në 29% në vitin 2025, nga 42% që ishte më parë, kryesisht për shkak të një rënieje të ndjeshme në numrin e vendimeve pozitive për aplikimet siriane.
Në muajin shkurt, vetëm 19% e aplikimeve nga sirianët rezultuan të suksesshme.
Ndërsa Reuters nuk ishte në gjendje të përcaktonte saktësisht se sa nga kërkesat e refuzuara i përkisnin minoriteteve, ajo dokumentoi 18 raste refuzimi për individë ose familje nga grupe siriane që janë përballur me persekutim që nga ardhja në pushtet e qeverisë së re.
Ky numër bazohet në intervista me azilkërkues, avokatë, si dhe në shqyrtimin e dokumenteve dhe dosjeve në Britani, Francë, Gjermani dhe Holandë, nga sirianë që u përkasin minoriteteve alavite, druze, kurde, të krishtera0 dhe shiite.
Reuters dokumentoi gjithashtu rastin e një alaviti në Holandë dhe një të krishteri në Francë, të cilëve iu dha mbrojtje.
Ministria e Informacionit e Sirisë deklaroi se qeveria është e përkushtuar fort për mbrojtjen e të gjitha komuniteteve siriane dhe nuk i toleron sulmet kundër civilëve.
Shërbimi Holandez i Imigracionit dhe Natyralizimit (IND) refuzoi të komentonte për raste individuale, ndërsa një zëdhënës tha se vetëm 7% e azilkërkuesve sirianë u pajisën me mbrojtje në vitin 2025.
Situatë shumë sfiduese
Gjatë vitit të kaluar, disa vende evropiane kanë deklaruar se azili nuk është më automatikisht i justifikuar për sirianët dhe disa prej tyre, si Gjermania, planifikojnë të fillojnë kthimet në vendin e origjinës.
Para rënies së Assadit në dhjetor 2024, sirianët zakonisht kualifikoheshin për azil, pasi niveli i dhunës konsiderohej i lartë dhe shërbimi ushtarak ishte i detyrueshëm.
Udhëzimet e Bashkimit Evropian për kërkesat siriane, të publikuara në dhjetor, theksojnë se alavitët, druzët dhe kurdët përballen me persekutim, megjithatë çdo rast duhet të vlerësohet individualisht për të përcaktuar nivelin e rrezikut.
“Problemi është mënyra se si po përdoren këto udhëzime. Disa qeveri duket se po e përkthejnë ‘ndryshimin e rrethanave’ në një supozim sigurie që nuk mbështetet nga provat – veçanërisht për grupet minoritare”, tha Nando Sigona, profesor i Migracionit Ndërkombëtar dhe Zhvendosjes së Detyruar në Universitetin e Birminghamit.
“Shpejtësia e këtij ndryshimi sugjeron se kjo nuk është vetëm një rivlerësim ligjor, por pjesë e një lëvizjeje më të gjerë drejt një interpretimi më kufizues të mbrojtjes së refugjatëve në të gjithë Evropën”, shtoi ai, duke theksuar se udhëzimet e BE-së për Sirinë nënvizojnë paqëndrueshmërinë e vazhdueshme.
Retorika kundër emigracionit është rritur ndjeshëm që nga viti 2015, kur mbi një milion njerëz, kryesisht sirianë, mbërritën në Evropë. Kjo ka forcuar partitë nacionaliste të krahut të djathtë dhe ka shtyrë qeveritë të miratojnë politika gjithnjë e më kufizuese për migracionin, të përqendruara në parandalim dhe kthime.
Ulysse Ellian, deputet i partisë së djathtë VVD në qeverinë e koalicionit të Holandës, tha se tani është e mundur që sirianët nga disa grupe minoritare të kthehen në mënyrë të sigurt.
“Për të krijuar sërish hapësirë në sistemin e azilit dhe për të reduktuar nevojën për strehime emergjente në Holandë, është thelbësore që sirianët të kthehen”, tha ai për Reuters.
Organizatat për të drejtat e njeriut dhe akademikët paralajmërojnë se refuzimi i kaq shumë kërkesave për azil i lë sirianët – shumica e të cilëve u larguan para rënies së Assadit dhe kanë ndërtuar jetë në Evropë – në një gjendje të paqartë ligjore.
Komisioneri Evropian Magnus Brunner i tha Reutersit se situata në Siri mbetet “shumë sfiduese” dhe se të gjitha aplikimet për azil shqyrtohen individualisht. “Këto vendime nuk janë arbitrare. Ato bazohen në vlerësime rast pas rasti”.
Kërkesat e pezulluara
Politika më e fundit e azilit e Holandës për Sirinë, e cila ka përparësi ndaj udhëzimeve të BE-së, thekson se minoritetet alavite dhe komuniteti LGBTQ+ janë në rrezik. Megjithatë, edhe këto grupe po refuzohen gjithnjë e më shpesh, tha Claire Mayne, avokatja e familjes së Mohamadit.
“Shohim që autoritetet po përpiqen të gjejnë arsye të mjaftueshme për të refuzuar njerëzit”.
Në rastet e dokumentuara nga Reuters, refuzimet kryesisht justifikoheshin me mungesë provash ose detajesh mbi situatën personale që do të tregonin se individi është realisht në rrezik. Shpesh thuhej se rrëfimet ishin shumë të përgjithshme ose të paqëndrueshme, ose se aplikantët vinin nga rajone që nuk ishin prekur nga dhuna ndaj grupit të tyre minoritar.
Rana Izouli, një kurde, u largua nga luftimet në verilindje të Sirisë në vitin 2023 së bashku me vajzën e saj 11-vjeçare dhe arriti në Gjermani, ku aplikoi për azil në prill 2024.
Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët në Gjermani e refuzoi kërkesën e saj në dhjetor, duke argumentuar se kishte mungesë raportesh mbi mënyrën se si qeveria e re trajton burrat dhe gratë kurde, si dhe duke theksuar se rajoni i saj vazhdonte të kontrollohej nga kurdët.
Ndërsa minoritetet në Gjermani u pajisën me azil me norma më të larta sesa mesatarja e sirianëve vitin e kaluar, shumica e kërkesave u refuzuan. Shkalla e suksesit ishte 20% për alavitët, 9.1% për druzët dhe 11.8% për kurdët.
Ministria e Brendshme e Gjermanisë nuk komentoi mbi këto shifra, por tha se intervistat me azilkërkuesit sirianë kishin rifilluar. Ministria e Brendshme e Britanisë deklaroi se kishte rifilluar shqyrtimin e aplikimeve siriane, me vendime të marra rast pas rasti. Ministritë përkatëse në Francë dhe Holandë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Një zëdhënës i agjencisë franceze të azilit OFPRA tha se rreth 85% e aplikantëve sirianë morën mbrojtje në vitin 2025.
Emad Obeid, një ilustrues nga Sweida, është një nga mijëra sirianët, kërkesat e të cilëve u ngrinë ndërsa vendet evropiane po rivlerësonin situatën në Siri pas rënies së Assadit.
Aktivisti kundër Assadit nga komuniteti druz, Obeid u largua nga Siria në vitin 2012. Ai mbërriti në Holandë në vitin 2023 dhe aplikoi për azil në shkurt 2024. Pasi kërkesa e tij u pezullua, kushërinjtë nga ana e nënës së tij u vranë gjatë përleshjeve mes luftëtarëve druzë dhe beduinë në korrik të vitit të kaluar, tregoi ai.
“Ndjej zhgënjim të plotë dhe zemërim, sepse kam dhënë jetën time për atë që mendoja se ishte revolucion, dhe tani që ky revolucion fitoi, ata shkatërruan qytetin tim dhe vranë familjen dhe miqtë e mi”, tha ai.
Obeid, 48 vjeç, tha se gruaja dhe dy fëmijët e tij që ndodhen ende në Sweida nuk dalin nga shtëpia pas orës 18:00 dhe se djali i tij 18-vjeçar nuk mund të shkojë në universitet nga frika e diskriminimit.
Shërbimi Holandez i Imigracionit dhe Natyralizimit (IND) shkroi në vendimin për ngrirjen e kërkesës së tij se druzët nuk konsiderohen si grup në rrezik, ndryshe nga alavitët, dhe se Obeid nuk kishte provuar se do të ishte në rrezik nëse do të kthehej. Ky institucion refuzoi të japë komente të mëtejshme për rastin e tij.
Ministria e Informacionit e Sirisë hodhi poshtë pretendimet për diskriminim sektar, përfshirë në arsim. Ajo deklaroi se shkelje nga individë të lidhur me shtetin kanë ndodhur në Sweida, në një kontekst tensionesh të vjetra lokale dhe ndërhyrjesh të jashtme.
“I mbijetuam gjallë një masakre”
Fionnuala Ni Aolain, komisionere në një hetim të Kombeve të Bashkuara për Sirinë, tha se kishte pasur përparim në reformat për të drejtat e njeriut nën presidentin Sharaa, por se tensionet mes pjesëve të ndryshme të shoqërisë vazhdojnë dhe kjo duhet të merret parasysh gjatë vlerësimit të kërkesave për azil.
“Ende ka pasiguri të konsiderueshme dhe shpërthimi i dhunës vitin e kaluar – dhuna në zonat bregdetare, në Sweida, në verilindje – të gjitha këto tregojnë për disa probleme strukturore, si për shembull: a i kontrollon shteti të gjitha forcat e tij dhe a do t’i mbajë komandantët përgjegjës?” tha ajo.
Ministria e Informacionit e Sirisë deklaroi se qeveria po punon për të vendosur të gjitha forcat nën një kontroll të unifikuar dhe se zyrtarët përgjegjës për shkelje po mbahen përgjegjës.
Që nga sulmet ndaj alavitëve vitin e kaluar, jeta e familjes së Mohamadit është përmbysur plotësisht. Babai i tij, mjek, nuk mund të punojë më, ndërsa motra e tij 18-vjeçare ka ndaluar së shkuari në shkollë nga frika se mund të bëhet objektiv, tha Mohamad.
Bashkëshortja e Salmanit ka lënë punën dhe është zhvendosur në një qytet tjetër nga frika e rrëmbimit, si dhe për t’u kujdesur për vajzën e saj 9-vjeçare, e cila ka pasur sulme paniku që nga shpërthimi i dhunës.
“Ne fjalë për fjalë i mbijetuam një masakre,” tha ajo, duke kujtuar se si i vinte fëmijët në gjumë dhe u tregonte histori për t’i qetësuar, ndërsa ishte e bindur se vdekja ishte afër.
Ndërsa Mohamad dhe Salmani presin vendimin për ankesën kundër refuzimit të azilit të tyre, Mohamadi ka filluar të merret me boks dhe të dy bëjnë punë vullnetare në Amsterdam, duke gatuar dhe shpërndarë ushqim për njerëzit e pastrehë. Salmani tha se shpreson që një gjyqtar do ta rishqyrtojë çështjen e tyre.
“Rreziku ishte shumë pranë. Lashë pas gjërat më të çmuara në jetën time – gruan dhe fëmijët. Kthimi në Siri do të ishte si të kryeja vetëvrasje”, tha ai me zë të butë, duke ulur shikimin ndërsa lotët i rrëshqisnin nëpër faqe.
“Unë vetëm ëndërroj të ribashkohem me familjen time”.
Përktheu: Blerta Haxhiu/Koha.net
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
