E hënë, 2 Janar 2023
STOKHOLM – Në ditën e parë të vitit 2023, Suedia mori nga Çekia kryesimin e Këshillit të Bashkimit Europian, i cili do t’i zgjasë deri në fund të muajit qershor.
Do të jetë kjo hera e tretë që Suedia do të jetë në krye të këtij institucioni. Anëtare e BE-së që nga viti 1995, ajo kishte kryesimin e radhës në vitin 2000 dhe në vitin 2009.
Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, duke folur për prioritetet që do t’i ketë vendi i tij në krye të BE-së në gjysmën e parë të vitit 2023, tha se do të punojë për një “Europë më të sigurt, më të lirë dhe më të gjelbër“. Këto tri pika, sipas tij, do të jenë themeli i prioriteteve të Suedisë gjatë kryesimit me Bashkimin Europian.
Duke iu referuar agresionit të Rusisë në Ukrainë, Kristersson tha se forcimi i kapaciteteve të mbrojtjes së BE-së, si dhe bashkëpunimi me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë të domosdoshëm për të vazhduar dhënien e ndihmës për Ukrainën në të gjitha aspektet.
Në dokumentet që publikoi Presidenca suedeze e BE-së për prioritetet e saj, raportet me Ballkanin Perëndimor dhe procesi i zgjerimit përmenden si çështje të rëndësishme në aspektin e sigurisë për tërë Europën.
“Zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, në aspektin e sigurisë, janë të rëndësishme si për këtë rajon, ashtu edhe për Bashkimin Europian“, thuhet në dokumentet e Presidencës suedeze të BE-së.
“Presidenca do të vazhdojë punën pas vendimeve të Këshillit Europian për t’i dhënë statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë dhe ofertën për perspektivë europiane Gjeorgjisë. Po ashtu do të vazhdojë procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor“, thuhet në prioritetet e Presidencës suedeze.
Etiketa: Ballkani, Bashkimi Europian, Suedia