Super El Niño: i nxehti do bëjë namin edhe këtë verë…


E enjte, 23 Prill 2026
Super El Niño: i nxehti do bëjë namin edhe këtë verë…

Hipoteza e Administratës Kombëtare Oqeanike të SHBA (NOAA) për mbërritjen e një Super El Niño po ngjall frikë globale, jo vetëm si fenomen natyror, por sepse po godet një planet tashmë të mbinxehur nga aktiviteti njerëzor.

Kur këta dy faktorë mblidhen, rezultati është shkatërrues. Sipas raportit të fundit të The Lancet, viti 2024 shënoi një rekord tragjik me 62 mijë vdekje të atribueshme të nxehtit ekstrem në Evropë.

Pothuajse i gjithë kontinenti ka regjistruar një rritje të vdekshmërisë nga temperaturat e larta në dhjetëvjeçarin e fundit. Nëse në vitet 1990 alarmet për vapën ekstreme ishin të rralla, sot ato janë rritur me mbi tre herë.

Kemi kaluar nga një mesatare prej një alarmi në vit, në mbi katër alarme vitet e fundit. “Efektet e ndryshimeve klimatike po përshkallëzohen më shpejt sesa aftësia jonë për t’u përgjigjur”- paralajmëron Joacim Rocklöv, bashkëdrejtues i raportit.

Rritja e temperaturave po sjell gjithashtu rreziqe të shtuara për sigurinë ushqimore dhe ekspozim ndaj sëmundjeve infektive. Edhe në rajonin tonë, ndryshimet janë të dukshme. Temperatura mesatare është rritur me afërsisht 1.5 gradë, duke prekur pragun kritik që kërkon ndërhyrje urgjente.

Çmimin më të lartë po e paguajnë më të vulnerablit: foshnjat, të moshuarit dhe ata që punojnë në ambient të hapur. Përveç nxehtësisë, po ndryshon edhe gjeografia e sëmundjeve; rreziku i shpërthimeve të etheve Dengue në Evropë është pothuajse katërfishuar.

Ndërsa bakteret si Vibrio po gjejnë kushte ideale në ujërat bregdetare më të ngrohta të Italisë dhe Francës. Raporti e drejton gishtin nga shkaku strukturor: varësia e Evropës nga lëndët djegëse fosile.

Në vitin 2023, subvencionet publike për energjinë arritën shifra rekord, duke treguar se sa e brishtë mbetet ekonomia dhe shëndeti ynë përballë paqëndrueshmërisë energjetike. Megjithatë, ka shenja progresi.

Energjia e renovueshme tani përbën mbi njerëz e një përqind të energjisë evropian dhe vdekjet nga ndotja e ajrit nga ky sektor kanë rënë me 84 për qind që nga viti 2000. Kriza klimatike nuk matet më vetëm me gradë Celcius, por me jetë njerëzish.

Ajo shfaqet te sezonet e polenit që zgjaten, te pasiguria ushqimore dhe te qytetet që bëhen të pajetueshme gjatë valëve të nxehtësisë. Prandaj zgjidhja kërkon një riorganizim të thellë të jetës urbane, rritjen e hapësirave të gjelbra dhe një kalim të shpejtë drejt energjisë së pastër.

Mesazhi i raportit është i qartë: nëse një Super El Niño i shtohet këtij skenari, Evropa do të gjendet nën një presion të paprecedentë shëndetësor dhe social. Sfida nuk është më thjesht mjedisore; është një betejë për mbijetesën e njerëzve. /tesheshi.com/ 


Burimi: tesheshi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit