E martë, 21 Prill 2026

Iniciativa për një Palestinë të Lirë i është bashkuar letrës së hapur të publikuar sot nga platforma “Jo muzikë për gjenocidin”, nënshkruesit e së cilës bëjnë thirrje për bojkotimin e Eurovisionit dhe flasin kundër normalizimit të gjenocidit në Gaza, rrethimit dhe pushtimit brutal ushtarak të palestinezëve.
Letra u nënshkrua nga më shumë se 1,100 muzikantë dhe grupe muzikore, duke përfshirë emra të famshëm botërorë si Massive Attack, Peter Gabriel, Roger Waters, Kneecap dhe Macklemore.
Në letër, ata së bashku theksojnë: “Ne mirëpresim tërheqjet parimore të stacioneve radiotelevizive spanjolle, irlandeze, islandeze, sllovene dhe holandeze, si dhe finalistët e shumtë të zgjedhjeve kombëtare që janë zotuar të refuzojnë të marrin pjesë në Festivalin e Këngës në Eurovision. Ashtu si artistët dikur kundërshtuan shtypjen në Republikën e Afrikës së Jugut, ashtu qëndrojmë së bashku sot”.
Por pavarësisht thirrjeve nga komuniteti artistik për përjashtimin e Izraelit nga konkursi, organizatori i Eurovisionit, Bashkimi Evropian i Transmetimeve (EBU), ke heshtur. Nga ana tjetër, zyrtarët izraelitë, përfshirë Presidentin Isaac Herzog, kanë zhvilluar një “fushatë diplomatike intensive, disamujore, kryesisht prapa skenave”, duke lobuar transmetuesit evropianë për të mbështetur përfshirjen e Izraelit. Ky zbulim çoi në deklarata edhe më domethënëse nga disa media publike, përfshirë ato spanjolle, të cilat dënuan një gjë të tillë si manipulime dhe standarde të dyfishta të EBU-së.
EBU e ndaloi shpejt Rusinë të merrte pjesë për shkak të pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, duke deklaruar në atë kohë se “përfshirja e një përfaqësuesi rus në konkursin e këtij viti do të dëmtonte reputacionin e eventit”. Muzikantët në letër theksojnë se: “Megjithatë, më shumë se 30 muaj gjenocid në Gaza, së bashku me spastrimin etnik dhe grabitjen e tokës në Bregun Perëndimor të pushtuar, nuk konsiderohen si një arsye e mjaftueshme për të aplikuar të njëjtën politikë ndaj Izraelit”.
Nënshkruesit e letrës theksuan: “Ne refuzojmë të heshtim ndërsa dhuna gjenocidale e Izraelit bëhet kolonë zanore dhe hesht jetën palestineze. Ndërsa fëmijët në burgjet izraelite vuajnë rrahje për këndimin e tyre. Ndërsa pothuajse çdo skenë, studio, librari dhe universitet në Gaza mbetet vetëm grumbuj rrënojash nën të cilët trupat e të vrarëve ende presin të nxirren dhe t’u bëhet një varrim dinjitoz.”
Ata shtojnë se për më shumë se dy vjet e gjysmë kemi qenë dëshmitarë të relativizimit të krimeve izraelite përmes kulturës, shkencës, sportit, argëtimit, politikës dhe hapësirës mediatike, duke shtuar se Eurosong është një konkurs transmetimi i të cilit ndiqet nga mbi 160 milionë shikues, ndaj dhe është e turpshme që Shteti i Izraelit do të jetë gjithashtu në atë skenë këtë vit, pavarësisht të gjitha krimeve që regjimi i tij po kryen në Lindje të Mesme. /tesheshi.com/
Burimi: tesheshi
