E martë, 16 Qershor 2026

Policia ka dhënë detaje lidhur me shpërthimin në Prizren, duke njoftuar se i njëjti është shkaktuar me granatë dore.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi për Klankosova.tv bëri të ditur se ankuesit dhe dëshmitarët kanë deklaruar se derisa ishin në gjumë janë zgjuar nga zhurma e dy shpërthimeve.
“Me datën 16.06.2026, rreth orës 03:30, Policia është njoftuar për një shpërthim në rrugën “Brigada 128” në Prizren, i cili kishte shkaktuar zhurmë të madhe.Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar me ankuesit dhe dëshmitarët, të cilët kanë deklaruar se derisa ishin në gjumë janë zgjuar nga zhurma e dy shpërthimeve”, tha ai.
Bytyqi gjithashtu njoftoi se si pasojë e shpërthimit është përfshirë nga zjarri një veturë, derisa është dëmtuar edhe fasada e një shtëpie.
Ndërkaq, përveç dëmeve materiale, nuk është raportuar për persona të lënduar.
Në konfirmimin për Klankosova.tv, Bytyqi deklaroi se dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një granatë dore.
“Si pasojë e shpërthimit, është përfshirë nga zjarri një veturë në pronësi të njërës viktimë, ndërsa është dëmtuar edhe fasada e shtëpisë së një viktime tjetër. Përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar. Nga ekzaminimi fillestar i vendit të ngjarjes dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një granatë dore”, tha ai.
Sipas ankuesve, vlera e përgjithshme e dëmit material është e konsiderueshme, ndërkaq policia deklaron se motivet e rastit ende nuk dihen.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore, hetuesit kujdestarë, Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive e Policisë, si dhe mbikëqyrës e eprorë policorë. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, tha Bytyqi.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit u shpreh gjithashtu se rasti është duke u hetuar./Klankosova.tv
Shpërthim në Prizren: Dyshohet për bombë në shtëpinë e avokatit
Burimi: klankosova
