E premte, 11 Shtator 2026

Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë sot punimet e seancës konstituive të Legjislaturës së 11-të, me synimin për të përmbyllur procesin e konstituimit të institucionit më të lartë ligjvënës.
Deputetët do të mblidhen nga ora 11:00, ndërsa pika e vetme e rendit të ditës është zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Për pesë pozitat e nënkryetarëve tashmë janë bërë propozimet nga subjektet politike dhe komunitetet joshumicë.
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Ardian Golën, Partia Demokratike e Kosovës Vlora Çitakun, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës Kujtim Shalën.
Nga radhët e komunitetit serb, Lista Serbe ka propozuar Slavko Simiqin, ndërsa për komunitetet e tjera joshumicë është propozuar Emilia Rexhepi.
Në vazhdimin e seancës të mbajtur të mërkurën, Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës. Ajo mori 62 vota për, 16 kundër dhe 13 abstenime, nga 102 deputetë të pranishëm.
Pas zgjedhjes së Haxhiut, Kuvendi kaloi te pika për zgjedhjen e nënkryetarëve, por subjektet politike nuk arritën marrëveshje për mënyrën e votimit të tyre.
Seanca u tensionua edhe gjatë propozimit të kandidatit të Listës Serbe. Deputeti Igor Simiq deklaroi se propozimin për Slavko Simiqin po e bënte “në emër të popullit serb”.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cilësoi këtë formulim të papranueshëm dhe kërkoi që Simiq ta tërhiqte deklaratën dhe ta paraqiste propozimin duke iu referuar Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.
Simiq nuk e tërhoqi deklaratën, ndërsa Haxhiu kërkoi ndërprerjen e fjalës së tij.
Në mungesë të dakordimit për mënyrën e votimit të nënkryetarëve, Haxhiu ndërpreu punimet dhe njoftoi se seanca konstituive do të vazhdonte sot.
Zgjedhja e nënkryetarëve është hapi i mbetur për përfundimin e seancës konstituive të Legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
