E diel, 9 Prill 2023
MITROVICË – Për të bërë një bisedë me celular, Shaqir Hetemit i duhet të ngjitet në një kodër.
Hetemi jeton në veri të Kosovës, në komunën e Leposaviqit, ku sinjali i telefonisë mobile vazhdon të jetë i dobët. Ai është përdorues i operatorit telefonik Vala.
Kjo komunë, bashkë me atë të Zveçanit, Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut, janë të banuara me shumicë serbe.
Mungesa e valëve të telefonisë mobile dhe pamundësia e qasjes në internet, paraqitet si shqetësim për Hetemin.
“Për ndonjë thirrje telefonike të nevojshme, ose ndonjë thirrje urgjente, duhet të dalësh në ndonjë hapësirë më të lartë nga shtëpia. Sidomos gjatë dimrit situata vështirësohet edhe më shumë. Kjo është e pakuptimtë të ndodhë në shekullin XXI ”, thotë ai.
Si të metë e konsideron mungesën e shërbimeve mobile edhe Izmir Zeqiri, banor i fshatit Çabër, komuna e Zubin Potokut, i cili po ashtu shfrytëzon shërbimet e Valës.
Ai tregon se kohëve të fundit në fshatin e tij ka një përmirësim në qasje të telefonisë mobile dhe internet, por jo edhe në fshatrat tjera dhe qytet.
“Ka shumë vështirësi në telekomunikim. Përdorimi i telefonit dhe internetit është i domosdoshëm dhe ky është hendikep”, thotë ai.
Emir Azemi nga Mitrovica e Veriut përdor operatorin tjetër IPKO, por problemet i ka të njëjta sikurse banorët tjerë./REL
Etiketa: Aktuale, Kosovë, Telefonia