Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Vetëvendosje dhe LDK refuzuan ftesën e Thaçit për Demarkacionin me Serbinë

Prizren Post | 16:59 - 21.06.2018

Prishtinë – Partitë opozitare të Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, kanë refuzuar propozimin e presidentit Hashim Thaçi që të jenë pjesë e procesit të përcaktimit të vijës kufitare me Serbinë.

Presidenti Thaçi të mërkurën në një konferencë për media, para takimit me homologun serb Vuçiq, tha se Demarkacioni me Serbinë do të jetë në tryezën e bisedimeve në fazën e fundit të dialogut.

Ai madje e vlerësoi këtë çështje si shumë të vështirë, ku u bëri thirrje edhe partive politike të jenë pjesë e dialogut politikë.

Por, partitë opozitare kanë kundërshtuar një përfshirje të tillë.

Ismet Beqiri, sekretarë i LDK-së ka thënë për lajmi.net se për çështjet e kufirit janë institucionet përkatëse, siç është Komisioni Shtetëror për Mirëmbajtjen e Kufijve, dhe se ata nuk kanë pse të përfshihen në një gjë të tillë.

“Nuk kemi pse te bëhemi pjesë e dialogut as për kufij, janë institucionet kompetente, Komisioni Shtetëror që duhet mu merr me këto punë. Qëndrimi jonë për propozimet e Thaçit janë të ditura dhe e njëjta vlen edhe për çështjen e kufirit”, është shprehur Beqiri për lajmi.net.

Për kufirin me Serbinë ka folur edhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Ai ka thënë se kufiri me Serbinë duhet të bëhet, por se propozimet e Thaçit nuk i ndihmojnë vendit.

“Propozime kuturu si kjo para mediave, pa debat sidomos parlamentar, nuk i ndihmojnë Kosovës. Ne kemi nevojë ta shënjojmë kufirin me Serbinë, mirëpo propozimet e tilla që bëhen nga Thaçi bëhen më shumë për ta bërë veten interesant”, është shprehur Kurti të enjten në një konferencë për media.

Partia Socialdemokrate e Kosovë, nuk ka ndonjë vendim të prerë për këtë. Zëdhënësi i saj, Shkodran Hoti i ka thënë lajmi.net se për këtë çështje duhet referuar deklaratës së kryetarit të PSD-së, Shpend Ahmeti.

Ky , të mërkurën pas përfundimit të tryezës së partive politike ka thënë se nuk kanë marrë ndonjë ofertë zyrtare dhe se nuk kanë qëndrim.

“Nuk kemi marrë asnjë propozim dhe nuk kemi vendim për këtë çështje”, ishte shprehur Ahmeti.

Ai po ashtu pas përfundimit të tryezës në cilësinë e nikoqirit, kishte propozuar që udhëheqësi i dialogut me Serbinë të mandatorët nga Kuvendi.

Ndërsa, presidenti Thaçi duke folur për caktimin e vijës kufitare me Serbinë e ka vlerësuar si të vështirë këtë proces.

Ai ka thënë se partitë politike duhet të jenë të përfshira dhe të marrin përgjegjësi, e jo vetëm të kundërshtojnë si në rastin me Malin e Zi.

Thaçi po ashtu ka kërkuar që me Demarkacionin me Serbinë të jetë e përfshirë edhe NATO.

Kosova deri më tash ka të përfunduar demarkacionin me dy shtetet fqinje, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Në këto dy procese ka pasur problem, sidomos me atë të Malin të Zi.


Etiketa:
Arivisti Company