Viti shkollor në prag të dështimit!


E shtunë, 1 Tetor 2022

Editorial: Jetmir Maloku
Prizren Post – Kryeredaktor

E drejta për arsim është një nga të drejtat bazike njerëzore dhe është e njohur nga një numër i madh i konventave ndërkombëtare. Kjo e drejtë në Kosovë ka një muaj që po i privohet nxënësve nga mësimdhënësit e tyre të cilët që nga 25 gushti vendosën që të hyjnë në një grevë pa ndonjë afat të përcaktuar. Mësimdhënësit e filluan grevën e përgjithshme në sektorin e arsimit me kërkesat për rritje të pagave, më konkretisht 100 euro në muaj për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, deri në miratimin e Projektligjit për paga.

Përcaktimi i vlerës monetare të një koeficienti për pagat e shërbyesve civilë, është një ndër debatet që ka përfshirë të gjitha sindikatat e punëtorëve. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) thotë se nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës iu është thënë se vlera monetare e koeficientit do të jetë 120 euro.

Kjo nënkupton që sipas këtij koeficienti për mësimdhënësit në shkollat fillore, të cilët marrin pagë mujore 470 euro, me vlerë monetare të koeficientit 120, ajo rritet në 672 euro. Sipas projekligjit, mësimdhënësit në shkollat e mesme të larta, do ta kenë koeficientin 5.8. Paga aktuale e një mësimdhënësi në shkollë të mesme të lartë është 525 euro, me vlerë monetare të koeficientit 120 rritet në 696 euro.

Ndërsa për mësimdhënësit në arsimin e mesëm të ulët, koeficienti me projektligjin e ri është 5.6. Paga e një mësimdhënësi në shkollë të mesme të ulët është 530 euro, me vlerë monetare të koeficientit 120 rritet në 672 euro.

Sindikalistët e arsimit këmbëngulin se do ta vazhdojnë grevën, derisa të plotësohet kërkesa e tyre për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj, për të gjithë punonjësit e arsimit. Kjo kërkesë nuk po shihet e arsyeshme nga ana e Qeverisë së Kosovës të cilët dolën me një propozim zgjidhje për ndërprerje të grevës duke ofruar 50 euro në muaj mbështetje për sindikalistët. Përkundër gatishmërisë së Qeverisë për të gjetur zgjidhje, sindikata e mësimdhënësve nuk e pranoi këtë propozim që do ishte një zgjidhje ndoshta aftatshkurte por që do ia mundësonte rreth 300 mijë nxënësve kthimin në bankat shkollore.

Një muaj mos vijim i mësimit do të ketë pasoja të mëdha për nxënësit dhe për të gjithë sektorin e arsimit, mbase mund të çojë deri në dështim të plotë të këtij viti shkollor. Cilësia e arsimit në Kosovë është kritikuar në disa raporte dhe vlerësime ndërkombëtare. Në një raport të publikuar në vitin 2020, Banka Botërore ka vlerësuar se nxënësit në Kosovë kanë ngecje të madhe në mësimnxënie. Po ashtu gjatë viteve të fundit Kosova ka dalë gati në fund të listës në dy teste të PISA-s – një program ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve.

Gjatë kësaj jave shpresat që viti i ri shkollor mund të nisë më 3 tetor në të gjitha institucionet publike të Kosovës, nuk zgjatën shumë pasi që mësimdhënësit në grevë nuk janë të gjithë të mendimit se mësimi duhet të nisë – edhe pse tashmë një muaj me vonesë. Nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje ndërmjet SBASHK-ut dhe Qeverisë së Kosovës, mësimi nuk do të fillojë as më 3 tetor. Nga ana tjetër Qeveria e Kosovës thotë se ky ligj, që parasheh rritje pagash, do të dalë në miratim së shpejti, dhe kërkon nisjen e procesit mësimor pa kushte.

Gjatë dy viteve të para të pandemisë së koronavirusit, më 2020/21, nxënësit në Kosovë kanë kaluar në mësim online në disa periudha kohore. Tani, kur pandemia është më e qetë dhe pothuajse e përfunduar dhe s’e pengon më mësimin në klasa, është greva ajo që i mban nxënësit larg tyre.

Etiketa: ,

Leave a Reply