E shtunë, 30 Qershor 2018
Prishtinë – Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, i cili i dha 53 milionë kompanisë Bechtel Enka, tani po heshtë dhe pse një mal akuzash, po bëhen në adresë të tij. Madje edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët janë në koalicion me partinë e Lekajt, po kërkojnë arrestimin e tij, ose të ish-ministrit Lutfi Zharku, në lidhje me milionat e dhënë për Bechtel Enken.
Gazetarët që hulumtuan rastin, thonë se diçka fshihet prapa kësaj shume dhe se Lekaj i fali ato para. E dyshimtë vlerësohet edhe shuma, meqë ajo fillestare ka qenë shumë më e ulët.
Deputeti i Nismës Socialdemokrate Milaim Zeka, thotë për “KosovaPress”, se kjo Qeveri nuk mund të ec përpara, pa u vënë në përgjegjësi, ministrat të cilët kanë qenë të kyçur direkt në këto gjëra.
“Nuk mundemi ne me ec përpara kjo Qeveri, pa e vu në përgjegjësi, pa e qu në burg, ose Lutfi Zharkun me krejt njerëzit në atë ministri, që kanë qenë direkt të kyçur në këto gjëra. Me jurista, me kushdo që ka qenë i përzier. Do me thanë pa shkuar në burg ose Lutfi Zharku, ose Pal Lekaj, nuk mundet kjo Qeveri me ec përpara. Nuk mundet kryeministri i Kosovës, nuk mundet as presidenti i Kosovës, as deputetët e Parlamentit të Kosovës, me ndejt të heshtur, kur Prokuroria e Kosovës, nuk alarmohet. Kur ne dalim e themi, që iu kanë plaçkit 53 milionë euro shtetit të Kosovës. A ka pas qare shteti i Kosovës për t’i paguar këto pare lind pyetja. Nuk ka pas qare. Pse s’ka pas qare. Se e qojnë në arbitrazh. Mirë, nuk paska pas qare. Por kush e pruni punën këtu që mos me pas qare. Kush e bëri vonesën e pagesave. Pse marrëveshja fillestare ka qenë 14 milionë, e qysh kcej marrëveshja prej 14 milionë te 53 milionëshi. Pse Bec htel Enkes, nuk i filluan kurrë hetimet nga prokuroria, për njerëzit që kanë vdekur në punishte”, tha ai.
Për Zekën në një shtet të varfër si Kosova, t’i jepen një kompanie 53 milionë euro, është dashur të alarmohet çdo njeri, Qeveria po ashtu dhe Parlamenti.
Ndërsa, thotë se duhet të formohet një komision hetimor, për ta hetuar rastin në fjalë. Por, politikanët, sipas tij, nuk i preferojnë komisionet e tilla, pasi që të gjithë janë të përfshirë në këto raste.
Ndërsa thotë se në Kosovë, duhet të bie sistemi kriminal.
“Qeveria është e rrëzuar. Por problemi është cila është zgjidhja. Nesër po shkojmë në zgjedhje, kështu e ke. Këtu duhet me ra sistemi. Këtu është krijuar sistemi kriminal. Sistemi i keq. Pa u rrëzu ky sistem, pa u ndryshu ky sistem, bota është duke na kqyr seri”, tha ai.
E Zekirja Shabani, kryeredaktor në gazetën “Infokus”, i cili ka siguruar dhe dokumentin, ku figurojnë shifra marramendëse të arsyetimeve që ka bërë kompania Bechtel Enka, për ta rritur çekun në 53 milionë, thotë se bëhet fjalë për vjedhjen më të madhe të ndodhur deri më tani, ku ministri Lekaj, sipas tij, i fali Bechtel-it 53 milionë euro.
Sipas tij, raportin të cilin ata e kanë publikuar, është dashur ta publikojë vet ministri Lekaj, si dëshmi se çfarë është negociuar me “Bechtel Enken”, për skandalin më të madh që tashmë njihet prej 53.4 milionë euro.
Ajo çka fshihet brenda këtij raporti, siç thekson Shabani, janë korrespodencat mes kësaj kompanie dhe zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, duke filluar prej programit të pagesave, kërkesa për pagesë të detajuar të shërbimeve të punëtorëve dhe të gjitha atyre penalltive, që janë folur në publik, por asnjëherë nuk janë bërë publike prej institucioneve kompetente.
Për Shabanin të gjithë janë përgjegjës, derisa nuk dalin dhe të sqarojnë detaje, se çka po fshihet prapa gjithë këtyre vonesave dhe dokumentacionin, të cilin qytetarët nuk e kanë parë.
Ai thotë se ky është një skandal i madh, i cili fillon prej ish ministrit Fehmi Mujota, pastaj ish ministrit Zharku dhe tani ministrit Lekaj.
Shabani pohon se është i domosdoshëm një hetim nga institucionet kompetente.
Por, para se të bëhej hetimi, institucionet duhet ta bëjnë publike kontratën.
“Pra bëhet fjalë për një vjedhje më të madhe të ndodhur deri më tash, ku janë përfshirë të gjitha partitë politike, që i kemi njohur, që i kemi pasur në pushtet, duke filluar prej PDK-së në krye në atë kohë me ministrin Fehmi Mujota, i cili ka nënshkruar kontratën me Bechtel Enken. Pa e përfshirë fillimisht programin e pagesave për autostradën. Pastaj ministri Lutfi Zharku që përfaqëson LDK-në, i cili ka pranuar dhe ka kërkuar Qeveria në atë kohë zgjatjen e afatit të punimeve dhe së fundi ministri Pal lekaj i cili përfaqëson AAK-në dhe i cili njëfarë forme ia ka falë 53.4 milionë Bechtel Enkes….Deri tash kemi dëgjuar prej ministrit Lekaj ka qenë se ne e kemi shpëtuar Kosovën. Por në fakt për çka e keni shpëtuar Kosovën. E keni shpëtuar Kosovën prej një skandali dhe me të madh. Apo ka qenë e domosdoshme falja e këtyre 53.4 milionë euro. Derisa nuk kemi një argument bindës, prej anës së institucioneve, do të thotë se ky insistimi i ministrit Lekaj, që me ia dhënë Bechtel Enkes këto pare, neve na bënë me dyshu se është falje. Më shumë po e shohim ministrin Lekaj që insiston me ia dhënë Bechtel Enkes 53.4 milionë euro, se sa që Bechtel Enka ka dal dhe i ka kërkuar këto mjete”, tha ai.
Ndërsa tregon se në raportin, të cilin e kanë siguruar shihen fryrje të çmimeve, të cilat nuk korrespondojnë pastaj me shifrat përfundimtare, të nxjerra në raport.
“Shihet se për makineritë e caktuara. Që në kushtet normale shohim se nuk kushton asgjë, për me mbajt një makineri aty, janë paguar prej 1 mijë, 2 mijë euro dita për një makineri, e që nuk ka të dhëna të detajuara, se cila është arsyeja e qëndrimit të asaj makinerie. E kujt është ajo makineri, kush e ka lënë pa punu. Nëse veç mos pagesa e mjeteve prej Qeverisë së Kosovës e ka pamundësu punën kompanisë “Bechtel Enka”, atëherë pse nuk ka pasur një dakorim që të ndërpritet puna dhe të pritet kur të bëhet pagesa dhe të fillohet pastaj. Aty ka duke filluar prej fryrjes së çmimeve, të cilat me kalkulimet që i kemi bërë pastaj, nuk korrespondojnë me shifrat përfundimtare, të nxjerra në raport. Ka pagesa, që për ne mendojmë që janë të dyshimta. Sepse ka lloje të ndryshme të makinerive që nuk korrespondojnë me çmimin real të tregut, pra vonesat në punë. Pra krejt këto janë dyshime derisa ne nuk e kemi kontratën bazë të nënshkruar në vitin 2014”, tha ai.
E Shabani më tej theksoi në kontratat e mëdha në Kosovë, të cilat nuk janë bërë publike, gjithmonë kanë ekzistuar dyshime për përfshirje të zyrtarëve të lartë shtetërorë, në këto pazare.
“Në kontratat e mëdha në Kosovë gjithë kanë ekzistuar dyshime, për përfshirje të zyrtarëve të lartë shtetëror në pazare të ndryshme, me kompanitë punë kryese në këtë rast. Derisa mbahet e fshehur kontrata për autostradën Prishtinë-Hani i Elezit, gjithherë do të ekzistojnë dyshimi, që një pjesë e këtyre 53 milionave, që ne ia kemi falur tash Konsorciumit Bechtel Enka, një pjesë prej këtyre mjeteve kanë përfituar dhe zyrtarë të lartë shtetëror. E më të afër që kanë mund të përfitojnë në këtë rast, dyshimet janë zyrtarët e ministrisë së infrastrukturës, për shkak se kanë qenë direkt të lidhur me zbatimin e kontratës”, tha ai.
E përkundër insistimit nga KosovaPress, që ta marrë një përgjigje nga ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
Lekaj nuk i është përgjigjur thirrjeve të KosovaPress-it dhe pas marrjes me shkrim të një mesazhi, ku i është kërkuar takim, për të marrë një përgjigje nga ai për 53 milionët që së fundi i janë dhënë Bechtel Enkes.
E pas kësaj, KosovaPress, i është drejtuar këshilltarit të tij Argjent Zejnaj, i cili ka pasur një përgjigje fare të shkurt.
Përgjigjja e vetme e Zejnaj ka qenë, që ministri Lekaj, nuk është këtu, duke mos iu përgjigjur fare pyetjes, se kur do të kthehet dhe kur ne mund të marrim një përgjigje nga ai, për akuzat e shumta që po bëhen në adresë të tij, për dhënien e 53 milionë euro Konsorciumit Bechtel Enka./Kosovapress
Etiketa: Aktuale, Bechtel-Enka, Kosovë, Pal Lekaj